Vrasja në Marmull, babë e bir dalin para gjyqit

Prek Gjugja dhe Alfred Gjugja, të akuzuar në rastin e vrasjes së Tunë Bezhit në fshatin Marmull të Gjakovës janë sjellë sot para gjyqit.

I akuzuari Alfred Gjugja nuk u deklarua rreth fajësisë. Alfred Gjugja i akuzuar për tri vepra penale, për vrasje, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, nuk foli asgjë për akuzat që i vihen në barrë.

Ndërsa Prek Gjugja, i akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprës së vrasjes, u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj”, tha ai.

Gjykatësi Mentor Bajraktari, caktoi datën 15 janar, për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Sipas aktakuzës, më 12 mars 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, afër shtëpisë së Anton Nikollës, i akuzuari Alfred Gjugja ka privuar nga jeta tani të ndjerin Tunë Bezhi.

Aktakuza shpjegon që pas një mosmarrëveshje pronësore që ka pasur i ndjeri Tunë Bezhi nga Martin Gjugja, vëllai i të akuzuarit Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar familja e të akuzuarit.

Atë ditë në shtëpinë e Anton Nikollës, ishin mbledhur për të biseduar rreth çështjes së pronësisë, Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja, mirëpo të njëjtit nuk kishin arritur marrëveshje, thuhet në aktakuzë.

Pas mospajtimit, i akuzuarit Prekë Gjugja i kishte telefonuar djalit të tij Alfredit dhe i kishte treguar që nuk kishin arrit asnjë marrëveshje, e më pas i akuzuari Alfred Gjugja kishte marrë pushkën automatike, me të cilën kishte gjuajtur 12 herë në drejtim të veturës së Tunë Bezhit.

Aktakuza thotë se më pas Tunë Bezhi për t`u larguar nga i akuzuari Alfred, kishte dalë nga vetura por i akuzuari Alfred kishte gjuajtur në drejtim të viktimës, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme, e duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alfred Gjugja ka tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Anton Nikolla, sepse i njëjti kishte tentuar ta parandalojë Alfredin, por kishte marrë një plumb në këmbën e majtë nga i akuzuari Alfred Gjugja si dhe ishte goditur me kondak të pushkës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se i akuzuari Alfred Gjugja kishte ikur në drejtim të Rezinës dhe pas bisedës me Tunë Gojanin ishte kthyer në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte dorëzuar në Polici.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, akuzohet se me dashje ka ndihmuar djalin e tij Alfredin për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Për Prek Gjugjën, aktakuza thotë se i njëjti të akuzuarit Alfred Gjugja, i ka krijuar kushte për kryerjen e veprës, sepse i ka treguar për mos arritjen e marrëveshjes për çështjen pronësore.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Gjykata e Gjakovës në muajin mars 2019, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë, kishte lënë Alfred Gjugjajn në paraburgim.

Prej muajit mars i njëjti gjendet në paraburgim dhe në muajin nëntor është ngritur aktakuza e këtij rasti dhe sot është mbajtur seanca fillestare.

I pandehuri Alfred Gjugja dyshohet të ketë privuar nga jeta Tunë Bezhi duke lënë të plagosur edhe Anton Nikollën, për çështje pronësore, e njëkohësisht kishte rrezikuar jetën e Zef Kitës dhe Lek Bezhit.

Ky rast kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore, pasi që Tunë Bezhi kishte blerë një tokë nga vëllai i të dyshuarit Mark Gjugja, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar i pandehuri Alfred Gjugja.