Vrasja në Marmull - Babë e bir ballafaqohen me dëshmitarë

Për vrasjen e Tunë Bezhit në marsin e vitit 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, ku të akuzuar janë babë e bir, Prek Gjugja dhe Alfred Gjugja, sot u dëgjuan dëshmitarë.

Kjo vrasje dyshohet të ketë ndodhur si shkak i një konflikti rreth një prone.

Alfred Gjugja i akuzuar për tre vepra penale, për vrasjen e Tunë Bezhit, për vrasjen në tentativë më saktësisht plagosjen e Anton Nikollës dhe armëmbajtje pa leje, në fillim kur kishte dalë para gjyqit nuk ishte deklaruar për akuzat që i vihen në barrë.

Këto veprime, për të cilat Prokuroria drejton akuzën tek Alfred Gjugja, ai i kishte bërë në shtëpinë e Anton Nikollës, pasi që kishin shkuar në shtëpinë e tij për të biseduar rreth një prone, që në konflikt ishte familja Gjugja dhe Tunë Bezhi.

Ndërsa Prek Gjugja, i akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprës së vrasjes, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sot, fqinji i dy të akuzuarve, e vëllai i të plagosurit Anton Nikolla, dëshmitari Zef Nikolla, tregoi se në marsin e vitit të kaluar i kishte dëgjuar disa krisma dhe bërtima të fëmijëve si dhe vëllanë e tij të plagosur.

“Kam qenë në stallë të lopëve, do të thotë diku 80 metra larg shtëpisë së vëllait, kam dëgjuar disa krisma, kam dalur jashtë dhe kam shkuar tek ata. Aty kam pa vëllanë Antonin dhe pastaj Tunë Bezhin duke gjëmuar, e që të dy i kam dërguar në spital”, deklaroi dëshmitari Zef Nikolla.

Zef Nikolla, tregoi se të akuzuarit Gjugja dhe i ndjeri Bezhi, kishin pasur mospajtime për një pronë.

Më pas, gruaja e të dëmtuarit Anton Nikollës, Shkurte Nikolla tregoi se atë ditë në shtëpinë e tyre kishin qenë Tunë Bezhi, Prek Gjugja dhe Zef Kita.

“Ata ishin zënë me fjalë dhe Tunën e kam dëgjuar duke thënë “unë s’kam punë me ju, do të shkojë drejt në gjykatë e polici sepse me ju s’po merremi vesh”, tha dëshmitarja Shkurte Nikolla.

Ajo tregoi se i akuzuari Alfred Gjugja, ka gjuajtur në veturën e Tunë Bezhit dhe se tek dyert e oborrit Tunë Bezhi i kishte thënë Prek Gjugjës, “merre tokën vetëm kthemi paret e mia, e s`po du telashe”.

“Duke dalë Tuna prej shpisë, Preka ka fol në telefon me Alfredin dhe derisa Tuna e ka kthyer veturën ka ardhë Alfredi e ka shajt, e pastaj ka gjujtë në veturë të tij, e aty ka shku Antoni, ka ndërhy për mos me lonë me gjujtë, e pastaj Alfredi ka gjujtë në Antonin e ai është rrëzuar në tokë, pastaj ka gjujtë me armë në të ndjerin Tunë”, deklaroi dëshmitarja Shkurte Nikolla.

Shkurte Nikolla, tha se në vend të Prek Gjugjës ka pasë me ardhë vëllai i tij Martin Gjugja për të biseduar me Tunë Bezhin dhe se kjo ngjarje duket si të kishte qenë një kurth, pasi që nga shtëpia e tyre fillimisht kishte dalë Tunë Bezhi dhe se atij i është dashur të priste derisa Prek Gjugja ose Zef Kita ndonjëri prej tyre t’i largonin veturat, në mënyrë që Tuna të mund të kalonte për të dalur në rrugën kryesore.

Kundër kësaj dëshmie, vërejtje patën avokatët Ndrec Dodaj dhe Armand Krasniqi, të cilët mbrojnë dy të akuzuarit Prek dhe Alfred Gjugja.

Pas kësaj, gjykimi vazhdoj me dëgjimin e vajzës së të dëmtuarit Anton Nikolla, Vlora Nikolla.

Ajo tregoi se fillimisht në shtëpinë e tyre kishte shkuar Tunë Bezhi e pastaj Prek Gjugja me Zef Kitën.

“Unë e kam dëgju Tunën duke thënë që ishte munduar që rastin ta zgjidh me të mirë, e tash e tutje do ta zgjidh me polici e gjykatë”, tha ajo.

Vlora Nikolla tregoi se babain e saj Antonin e kishte parë të rrëzuar për tokë, por Tunë Bezhin e kishte parë me sy mbyllur, të shtrirë për toke, të mbuluar me gjak tek pjesa e barkut.

Ky gjykim pritet që të vazhdojë edhe ditën e nesërme, i udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari bashkë me dy gjyqtarët Besarta Doli dhe Besnik Bislimaj, ku do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë.

Sipas aktakuzës, më 12 mars 2019, në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës, afër shtëpisë së Anton Nikollës, i akuzuari Alfred Gjugja ka privuar nga jeta tani të ndjerin Tunë Bezhi.

Aktakuza shpjegon që pas një mosmarrëveshje pronësore që ka pasur i ndjeri Tunë Bezhi nga Martin Gjugja, vëllai i të akuzuarit Prek Gjugja, kishte blerë një parcelë toke, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar familja e të akuzuarit.

Atë ditë në shtëpinë e Anton Nikollës, ishin mbledhur për të biseduar rreth çështjes së pronësisë, Tunë Bezhi, Zefë Kita, Lekë Bezhi dhe Prek Gjugja, mirëpo të njëjtit nuk kishin arritur marrëveshje- thuhet në aktakuzë.

Pas mospajtimit, i akuzuarit Prekë i kishte telefonuar djalit të tij Alfredit dhe i kishte treguar që nuk kishin arritur asnjë marrëveshje, e më pas i akuzuari Alfred kishte marrë pushkën automatike, me të cilën kishte gjuajtur 12 herë në drejtim të veturës së Tunë Bezhit.

Aktakuza thotë se më pas Tunë Bezhi për tu larguar nga i akuzuari Alfred, kishte dalë nga vetura por i akuzuari Alfred kishte gjuajtur në drejtim të viktimës, duke e goditur në abdomen në pjesën e poshtme, e duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alfred Gjugja ka tentuar ta privojë nga jeta edhe të dëmtuarin Anton Nikolla, sepse i njëjti kishte tentuar ta parandalojë Alfredin, por kishte marrë një plumb në këmbën e majtë nga i akuzuari Alfred Gjugja si dhe ishte goditur me kodak të pushkës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se i akuzuari Alfred kishte ikur në drejtim të Rezinës dhe pas bisedës me Tunë Gojanin ishte kthyer në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte dorëzuar në Polici.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Prek Gjugja, akuzohet se me dashje ka ndihmuar djalin e tij Alfredin për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Për Prek Gjugjën, aktakuza thotë se i njëjti të akuzuarit Alfred, i ka krijuar kushte për kryerjen e veprës, sepse i ka treguar për mos arritjen e marrëveshjes për çështjen pronësore.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Gjykata e Gjakovës në muajin mars 2019, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë, kishte lënë Alfred Gjugjajn në paraburgim.

I pandehuri Alfred Gjugja dyshohet të ketë privuar nga jeta Tunë Bezhi duke lënë të plagosur edhe Anton Nikollën, për çështje pronësore, e njëkohësisht kishte rrezikuar jetën e Zef Kitës dhe Lek Bezhit.

Ky rast kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje pronësore, pasi që Tunë Bezhi kishte blerë një tokë nga vëllai i të dyshuarit Mark Gjugja, për të cilën tokë nuk ishte pajtuar i pandehuri Alfred Gjugja.