Babai e pret me lot gjykimin e policit për vrasjen e Jetmirit

Halil Aliaj, babai i të ndjerit Jetmir Aliaj, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës në një kazino në Suharekë, mes lotësh, duke iu dridhur zëri në seancën e parafundit gjyqësore kishte deklaruar se familja e tij ka dhimbje të madhe që nga dita kur i ishte vrarë djali.

Seanca përfundimtare u mbajt të hënën në Gjykatën e Prizrenit, plotë 554 ditë që nga vrasja e Jetmir Aliajt në vendin e tij të punës. 75 ditë pas vrasjes, më 30 maj të vitit 2019 prokurori Mehdi Sefa kishte ngritur aktakuzë për dy vepra penale ndaj policit Shefki Spahiu.

Shefki Spahiu, që deri ditën kritike mbante gradën e rreshterit në Policinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale, vrasje e rëndë me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta të ndjerin Jetmir Aliaj, dhe për veprën manipulim me prova.

Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Sot në Gjykatën e Prizrenit ka përfunduar gjykimi, ndërsa të enjten trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi me anëtarët Artan Sejrani dhe Kymete Kicaj do të shpallin vendimin.

Prokurori i rastit Mehdi Sefa, përfaqësuesi i familjes së dëmtuar avokati Arben Ramadani dhe mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Spahiu, avokati Emrush Kastrati sot para trupi gjykues dhanë fjalën e tyre përfundimtare.

Me fjalën përfundimtare është përmbyllur një proces gjyqësor që është përcjellë me shumë kërkesa dhe kundërshtime ndërmjet prokurorit dhe mbrojtësit të të akuzuarit.

Në fjalën përfundimtare prokurori Mehdi Sefa tha se aktakuza e prokurorisë dhe e gjithë rasti i përshkruar sikurse në aktakuzë u vërtetua gjatë gjykimit kur u dëgjuan dëshmitarët dhe sidomos kur i shikuar CD e momentit kritik, që prokurori Sefa e ka quajtur “Mbretëresha e provave”.

“I akuzuari Shefki Spahiu ka shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmirit i cili e ka shërbyer me ujë dhe kafe, dhe në mënyrë dinake e nxjerr armën pistoletën e markës “Glock” dhe nga një distancë prej 1 metër ka shtënë në kokën e të ndjerit”, ka thënë prokurori Sefa, duke  i ’u referuar aktakuzës.

Prokurori Mehdi Sefa tutje ka thënë se i akuzuari Spahiu për veprën e dytë penale manipulim me prova ka pranuar fajësinë, dhe kjo sipas Prokurorisë ndërlidhet me veprën penale të vrasjes së rëndë, sepse i akuzuari Shefki Spahiu pas kryerjes së vrasjes së rëndë, sipas Prokurorisë ka shkatërruar provat dhe ka fshehur këto prova me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të këtyre dëshmive në procedurë zyrtare.

Prokurori ka theksuar deklaratat e dëshmitarëve më saktësisht të punëtorëve të kazinosë apo kolegëve të të ndjerit, të cilët kishin thënë se kur rreshteri Shefki Spahiu vizitonte kazinonë ata ndjeheshin të sigurtë, sepse ishin në dijeni që i akuzuari ishte Polic, andaj sipas prokurorit drejtimi i armës nga një afërsi dhe e shtëna me të në drejtim të kokës së Jetmir Aliajt ka qenë e papritur dhe e befasishme andaj edhe Prokuroria konsideron se vrasja e rëndë është kryer në mënyrë dinake.

Prokurori Mehdi Sefa në fund ka kërkuar nga Gjykata që i akuzuari Shefki Spahiu të shpallet fajtor, dhe me rastin e dënimit trupi gjykues sipas Prokurorit duhet të ketë parasysh rrethanat rënduese faktin se veprën penale e ka kryer një polic me gradë të rreshterit, si dhe e ka kryer me armë zyrtare ndërsa nuk ka qenë fare i provokuar nga i ndjeri, përkundër kësaj viktima e ka shërbyer të akuzuarin me kafe e ujë, ndërsa viktima në momentin kur është qëlluar ka qenë i ulur duke shikuar telefonin e tij, e të gjitha këto sipas prokurorit duhet të merren parasysh si rrethana rënduese kur gjykata të merr vendimin ndaj të akuzuarit.

Gjatë gjithë kohës kur prokurori po jepte fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Shefki Spahiu qëndronte i qetë dhe kokë ulur, ashtu siç ka qëndruar shumicën e kohës gjatë gjykimit, ndërsa pos kur ka dhënë mbrojtjen e tij, rrallë herë është deklaruar diçka apo ka thënë diçka në sallën e gjykimit.

Krejt të kundërtën e asaj që ka thënë Prokurori Mehdi Sefa, e ka thënë në fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu avokati Emrush Kastrati.

Sipas avokatit Kastrati me asnjë provë gjatë gjykimit nuk është vërtetuar vepra penale vrasje e rëndë siç pretendon Prokuroria në aktakuzën e saj, “me asnjë provë reale dhe bindëse” ka thënë avokati Emrush Kastrati.

Tutje mbrojtësi ka thënë se aktakuza e Prokurorisë është në kundërshtim me vetveten.

“Prokurori nuk ka pasur parasysh provat shfajësuese dhe në favor të të akuzuarit, dhe nuk ka marrë parasysh kërkesën tonë që këtu i akuzuari Shefki Spahiu të dërgohet në ekzaminim psikiatrik “ tha avokati Kastrati.

Gjykata e Prizreni në fillim të gjykimit kishte refuzuar kërkesën e të akuzuarit që të dërgohej në ekzaminim psikiatrik.

Sipas avokatit Kastrati me këtë vendim “Gjykata u frikësua” nga gjetja e të vërtetës, pra me mos dërgimin e të akuzuarit për ekzaminim psikiatrik.

Avokati konsideron se në momentin kritik ka qenë provokimi dhe sharja nga viktima drejtuar të akuzuarit Spahiu si arsye që këtu i akuzuari sipas avokati “ e ka humbur kontrollin dhe e godet të ndjerin në kokë”, e që sipas avokatit mbrojtës në rastin konkret Prokuroria është dashur të ngritë aktakuzë për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore “ dhe jo vrasje e rëndës me dashje dhe në mënyrë dinake.

“A e mbështet fjalën e mbrojtësit?”, u pyet i akuzuari Shefki Spahiu nga kryetarja e trupit gjykues, “po” tha i akuzuari që ishte momenti i vetëm kur i akuzuari Spahiu foli gjatë seancës.

Trupi gjykues caktoi datën 24 shtator, ditën e enjte në ora 13:00 momentin kur do të shpall vendimin përfundimtar të këtij rasti.

“Unë e di që asgjë nuk më shfajëson nga fajësia për rastin konkret, por është mirë që ju me i dëgjua përjetimet dhe gjendjen shëndetësore dhe mendore timen”.

Kështu kishte filluar rrëfimin e tij Shefki Spahiu, në momentin kur ishte paraqitur para trupit gjykues për të dhënë mbrojtjen e tij.

Në një seancë të gjatë më datën 30 korrik i akuzuari Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.

KALLXO.com ka raportuar për ngjarjene  ndodhur që nga dita kritike.

Të gjitha shkrimet për rastin mund t`i gjeni në këtë LINK