Vrasja në Gjilan, pas pak Gjykata pritet të marrë vendim, tre të dyshuarit kërkuan të mbrohen në liri

Të dyshuarit për vrasjen e Bakush Veselit, të pandehurit Faton Osmani, Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli, janë sjellë sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me kërkesen e Prokurorisë së Gjilanit e cila po kërkon që ndaj të njëjtëve të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në seancën e sotme dëgjimore, para gjykatësit Sabedin Mushica, prokurori Shaban Spahiu tha se i propozon Gjykatës që të aprovoj kërkesen e Prokurorisë dhe ndaj të dyshuarve të caktoj masën e paraburgimit pasi po të lihen në liri të pandehurit mund të pengohet edhe rrjedha e procedurës penale ndaj tyre.

Tre të dyshuarit dhe mbrojtësit e tyre, thanë se e kundërshtojnë kërkesen e Prokurorisë duke kërkuar nga Gjykata që të pandehurit të mbrohen në liri.

Lidhur me kërkesen e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, pas pak pritet të vendos gjykatësi Sabedin Mushica.

Prokuroria dje ka njoftuar se, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B. V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Vrasja në Gjilan, sot pritet të dalin para Gjykatësit tre të dyshuarit