Foto: KALLXO.com

Vrasja në Deçan, hetuesja mohon se ndryshoi deklaratën e mbesës së të akuzuarit

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet djali i pronarit të kompanisë “Gogaj AG”, i akuzuari Shaban Gogaj.

Lidhur me këtë rast edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte dalë me një deklaratë, duke e quajtur si aksidentale vrasjen e Agonis Tetajt.

Deklarata e kryetarit Ramosaj nga familjarët e të ndjerit ishte parë si paragjykuese dhe ndikuese në hetimin dhe gjykimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.

Sot para trupit gjykues u dëgjua hetuesja policore Ziliha Berisha, e cila kishte intervistuar dëshmitaren Florentina Melaj, që ka qenë arkëtare e kompanisë ku kishte ndodhur rasti, njëkohësisht edhe mbesa e të akuzuarit.

Në seancën e kaluar Melaj kishte deklaruar se në deklaratën e saj të dhënë në Polici ishin konstatuar fjalë që ajo nuk i kishte thënë.

“E pse e ki nënshkruar ti atëherë deklaratën?”, ishte pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Husaj Rugova.

“Se i besova që i ka fshi ato që i kërkova”, ishte  përgjigjur Florentina Melaj.

Hetuesja policore tha se nuk i kujtohej që dëshmitarja i kishte kërkuar të hiqte ose të shtonte diçka.

“Nuk është përdorur as dhunë, as kanosje për nënshkrim të deklaratës”, shtoi hetuesja duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Agron Uka.

Sipas saj, nuk i kujtohej se nuk ka qenë ndonjë hetues tjetër prezent atë ditë, por që deklarata është marrë në mënyrë ligjore, konform rregulloreve, ligjeve dhe formave që i ka Policia në aplikim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, duke iu referuar deklaratës të dëshmitares Melaj tha se në deklaratë nuk është e konstatuar se asaj i është lexuar e drejta për të mos e inkriminuar anëtarin e familjes.

Por mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava, e kundërshtoi këtë me arsyetimin se në rastet e vrasjes nuk vlen kjo dispozitë, pa marrë parasysh afërsinë e gjakut.

Gjykatësja Violeta Husaj Rugova e lejoi këtë pyetje të Berishës drejtuar polices Berisha.

Hetuesja u përgjigj se nuk i kanë lexuar asnjë të drejtë më shumë se kjo qe po shkruan në deklaratë.

“A mund të pajtohemi se ju nuk ia keni lexuar asnjë të drejtë tjetër përpos këtyre të konstatuar në deklaratën e saj?” ishte pyetja e avokatit Berisha.

“Po”, u përgjigj zyrtarja policore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës mbahet nesër.