
Vrasja në "Cobra City" - Babai i viktimës kërkon drejtësi nga Gjykata
“Unë dua drejtësi karshi djalit. Unë dhe gjithë familja ime.” – kështu ka deklaruar sot, më 23.01.2025, para Trupit Gjykues në Gjykatën e Prishtinës, në gjykimin ndaj të akuzuarit Dibran Hoxha dhe të akuzuarve të tjerë, babai i të vrarit në “Cobra City”.
Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhës – Cobra dhe të tjerëve, në seancën e sotme, babai i kuksianit të vrarë ka kërkuar drejtësi nga Gjykata. I njëjti është paraqitur në Gjykatë sot si dëshmitar.
Ndaj Dibran Hoxhës rëndojnë akuza për vrasjen e rëndë të viktimës V. Cengu. Kurse, katër të akuzuarit e tjerë akuzohen, për: “pjesëmarrje në rrahje”, “manipulim me prova” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Behar Cengu tha se pasi që djali i tij nuk po kthehej në shtëpi dhe ishte bërë vonë, ai ishte merakosur për fatin e tij dhe ishte ndalur në qytet për ta kërkuar dhe pastaj për ngjarjen ishte njoftuar nga një shok i punës, se djali tij ishte në Spital.
“Kur shkova në Spital, aty e gjeta djalin.” – tha Cengu.
Behar Cengu tha gjatë dëshmisë së tij, se familja e tij nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë problem me familjen e Dibran Hoxhës.
“Jo me të, por me askënd.” – tha Cengu.
Tutje, gjatë dëshmisë së tij, Behar Cengu tha se nuk e ka njohur asnjë person prej të akuzuarve dhe po ashtu se nuk kishte qenë në vend të ngjarjes.
“Fëmijët i kam rritur me shumë sakrificë. Vajza e madhe ka mbaruar Drejtësi. Vajza tjetër Gjuhë – Letërsi. Vajza tjetër Stomatologji. E di unë, se si i kam rritur.” – tha Cengu.
“E la në dorë të Drejtësisë që të vendosë. Unë nuk di, sepse nuk kam qenë në vend të ngjarjes.” – shtoi tutje babai i të vrarit në fund të dëshmisë së tij.
Pasi që përfundoi dëshminë babai i të vrarit, si dëshmitar në Gjykatën e Prishtinës, sot ishte këngëtari i cili kishte qenë atë natë në lokalin “Cobra City”.
Ai tha gjatë dëshmisë së tij se më 03.01.2023 kishte qenë te lokali “Cobra City”, pasi që i njëjti merret me muzikë, mirëpo aty kishte qenë thjesht zëvendësim për një kohë të shkurtër.
“A ju kujtohet ajo natë?” – e pyeti prokurorja Merita Bina-Rugova.
“Më kujtohen disa gjëra. Unë kam qenë duke kënduar aty. Patëm dalë jashtë njëherë me bisedu, nëse nuk gaboj.” – tha Vllaznim Mustafa.
“A ke vërejtur ndonjë grup të njerëzve që kanë qenë nga Shqipëria?” – ishte pyetja e radhës e prokurores Bina-Rugova.
“Po kanë qenë 3 persona. Kur kanë ardhur nuk i kam pa, kur kanë hy brenda.” – tha Mustafa.
Ai rrëfeu se ata kishin dalë jashtë dhe se biseda kishte qenë e sjellshme dhe se kishin biseduar me menaxherët, bashkëpunëtorët e lokalit.
“Kur kanë hyrë brenda prapë e kanë përplasë derën, nëse nuk gaboj të Shqipërisë. Edhe e kanë rrëzu një tavolinë aty. Marrin hygjym me hy zyrë, e përplasin derën.” – tha Mustafa.
Dëshmitari Mustafa tha se deri në momentin kur kanë dalë jashtë, ata kanë qenë mirë, por kur kanë hyrë brenda kanë qenë të egërsuar.
“Kur e kam pa tu e përplas derën, kam hy në tualet, derisa ka ardhur Policia. Nëse s’gaboj 20 apo 30 minuta kam qëndruar në tualet.” – tha Mustafa.
Ndërsa kur kishte dalë ai, Policia kishte qenë duke kontrolluar vendin e ngjarjes.
“Qysh u dukshin qita personat e Shqipërisë, të Kukësit? A kanë pasë ndonjë karakteristikë?” – e pyeti mbrojtësi i të akuzuarit Dibran Hoxha, avokati Florent Latifaj.
“Me sa më kujtohet, njëri më i shkurtër, njëri i gjatë dhe tjetri pak i shëndoshë.” – tha Mustafa.
Ai bëri të ditur në seancën e sotme se Dibran Hoxhën e kishte takuar në fillim të punës dhe në fund e kishte parë me Policinë.
“Në atë moment, jo. Veç kur kam shku në fillim të punës, po.” – tha Mustafa.
“Kur kam dalë jashtë banjës, e kam pa veç Dibranin me Polici.” – shtoi tutje Mustafa.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës – lidhur me këtë çështje – pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të Trupit Gjykues: Kujtim Krasniqi, kryetar i Trupit Gjykues dhe anëtarët, Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismaili.
Të akuzuarit – lidhur me vrasjen në “Cobra City” – nuk kishin pranuar fajësinë edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur, më 07.03.2024.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në Prizren.
Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit – sipas Dosjes – kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Kështu, në Dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment. Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.
Më pas, Dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V. Cengu., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë, Prokuroria e ngarkon me veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Raportimet e KALLXO – LINK .