Foto Kallxo.com - Rigjykimi në rastin e Vrasjes së rëndë në Bon Vivant

Vrasja në ‘Bon Vivant’, pritej dëshmia e Uran Ismailit, shtyhet seanca

 

Është shtyrë seanca për rastin e vrasjes në “Bon Vivant”, për shkak të mungesës së gjyqtarit Isuf Makolli, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.

Kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, tha se urdhëresa për ta sjellë nga qendra e paraburgimit të akuzuarin Masar Gërdovci, është revokuar.

“Urdhëresa për ta sjellë të akuzuarin Masar Gërdovci nga qendra e paraburgimit, është revokuar për arsye të mungesës së gjyqtarit Isuf Makolli, kjo për të mos krijuar shpenzime procedurale”, tha gjyqtarja Çerkini.

Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit ishte i pranishëm dhe deputeti i PDK-së dhe ish- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili njëherësh është edhe bashkëpronar i lokalit ku kishte ndodhur ngjarja.

Por për arsye të mungesës së kushteve për të mbajtur seancën, dëshmitari Ismaili nuk dëshmoi.

Avokati i të akuzuarit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku arsyetoi mungesën e të mbrojturit të tij. Ai tha se nuk është në dijeni për mungesën e të mbrojturit të tij, por e dinte se i njëjti kishte babanë e sëmurë.

“Nuk jam në dijeni për mungesën e të mbrojturit tim, por e di se ai e ka babanë e sëmurë dhe garantoj se do ta sjellë të njëjtin në seancën e radhës”, tha avokati Millaku.

Gjyqtarja Suzana Çerkini tha se, ftesa do të përsëritet për të akuzuarin Krasniqi.

“Ftesa do të përsëritet për të akuzuarin Krasniqi, pasi që avokati i tij deklaroi se do ta sjellë të njëjtin në seancën e radhës”, tha gjyqtarja Çerkini.

Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës, respektivisht revolja e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ri cilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 dhjetor, në ora 9:30.