Vrasja në 'Bon Vivant' për të tretën herë kthehet në pikën zero

Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Rrahman Ukës do të nis për herën e tretë në Gjykatën e Prishtinës, kjo pasi Sepremja ka vendosur që kjo çështje penale duhet të shqyrtohet përsëri.

Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së të dënuarave Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit të dënuar për vrasjen e Rrahman Ukës i cili ishte rojtar në lokalin “Bon Vivant”.

Gjykata Supreme prishi aktgjykimet dënuese të shkallës së parë dhe shkallës së dytë.

Me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim për veprën ndërsa është refuzuar akuza për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja ka gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë mirëpo e njëjta nuk e sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndejrit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas Supremes Masar Gërdovci është shpallur fajtor për veprimin konkret të privimit nga jeta e tani të ndjerit Rrahman Uka edhe pse për këtë është akuzuar i dënuari Shefki Krasniqi, ndërsa i dënuari Shefki Krasniqi është akuzuar për privimin nga jeta e tani të ndjerit Rrahman Uka, ndërsa është shpallur fajtor për atë se e ka goditur dhe e ka kapur nga mbrapa tani të ndjerin Rrahman Uka, të cilin (më vonë) e ka privuar nga jeta i dënuari Masar Gërdovci, duke i kontribuar në këtë mënyrë kryerjes së veprës penale të vrasjes. Këto veprime nuk ceken në aktakuzë.

Supremja udhëzon gjykatën e shkallës së parë që në rishqyrtim të vërtetojë veprimin e secilit prej të akuzuarëve dhe dashjen e tyre.

Po ashtu Supremja ka udhëzuar që gjykata mund të bëjë ndryshime të vogla në përshkrimin faktik të veprimeve inkriminuese për t`i përshtatur gjendjes së vërtetuar faktike në shqyrtimin gjyqësor, por assesi ndryshime kualitative të cilat në mënyrë qenësore dallojnë nga ato për çka të dënuarit akuzohen, sikurse është bërë në këtë rast konkret.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.