Vrasja në ‘Bon Vivant', ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit Andi Pajaziti

Në gjykimin për rastin e vrasjes në lokalin “Bon Vivant” që kishte ndodhur më 04.08.2023, rast për të cilin po akuzohet Andi Pajaziti, seanca e sotme ishte paraparë të vazhdohet me administrimin  e provave materiale, mirëpo pas propozimit të prokurores Nebahate Salihu që të dëgjohen edhe 4 dëshmitarë në këtë çështje penale, gjyqtari Eroll Gashi e ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për muajin nëntor.

”Ne si prokurori me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike në këtë çështje penale juridike i propozojmë gjykatës që gjatë seancave të radhës të dëgjohen si dëshmitarë Agim Zeqiri, Granit Hamiti, Ndue Nikqi dhe Rigona Bajrami, me arsyetimin se të njëjtit në ditën kritike kanë qenë prezent në vendin ku është kryer ngjarja – gjegjësisht të njëjtit kanë marrë edhe lëndime të rënda trupore nga arma e zjarrit” – tha prokurorja Nebahate Salihu.

Pas propozimit të prokurores Nebahate Salihu, gjyqtari Eroll Gashi kërkoi sqarim nga prokurorja që çfarë mund të nxirret me këta dëshmitarë e që dëshmitë e tyre do të shkonin në favor të zbardhjes sa më të vërtetë të kësaj ngjarje, mirëpo prokurorja Salihu sqaroi se të njëjtit kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe të njëjtit kanë mundur me pa ngjarjen se çfarë ka ndodhur.

Me propozimin e prokurores Salihu u pajtua përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Flakron Sylejmani, mirëpo me këtë propozim nuk u pajtua edhe mbrojtësi i të akuzuarit Andi Pajaziti, avokati Florent Latifaj.

“Ne mendojmë se do të kishte qenë më e rrugës, më e shpejtë, më ekonomike që të vazhdohet me atë çfarë është planifikuar” – tha avokati Latifaj.

“Ju propozoj që sot të vazhdojmë ashtu siç e kemi planifikuar e nëse ju vlerësoni se këta dëshmitarë do të zbardhin diçka, ne jemi dakord me i lexu krejt deklaratat e tyre”- shtoi tutje avokati Florent Latifaj.

Lidhur me këtë edhe i akuzuari Andi Pajaziti kishte për të thënë diçka, Ai po ashtu i mbështeti edhe fjalët e mbrojtësit të tij.

“Unë e mbështes fjalën e mbrojtësit dhe dua të shtoj se këtyre personave unë ja u kam lexu deklaratën vetë personalisht dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me rast dhe nuk kanë pa asgjë dhe nuk kanë marrë asnjë plagë nga ana ime”- tha i akuzuari Andi Pajaziti.

“Të gjithë këta persona që i ka propozu prokuroria asnjëri nuk janë shtetas që banojnë në Republikën e Kosovës dhe këta persona nëse ftohen nga ana e prokurorisë janë vetëm për të zvarritur procedurën dhe nuk ndriçojnë asgjë”- shtoi tutje i akuzuari Pajaziti.

Pas dëgjimit të të gjitha palëve, gjyqtari Eroll Gashi e aprovoi propozimin e prokurores Nebahate Salihu.

“Lidhur me propozimin e prokurorisë që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen dëshmitarët Agim Zeqiri, Granit Hamiti, Ndue Nikqi dhe Rigona Bajrami, gjykata merr këtë vendim miratohet propozimi i prokurorisë, shqyrtimi gjyqësor ndërpritet dhe seanca e caktuar më 01.11.2023 anulohet” – tha gjyqtari Eroll Gashi.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Eroll Gashi ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Nebahate Salihu.

Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:17 ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.

Dosja e përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtien më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.

Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.

Vdekja e të ndjerit, sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

Për të, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R, i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.