Vrasja në ‘Bon Vivant’, mbrojtja kërkoi lirimin nga paraburgimi për të akuzuarit
Mbrojtësit e të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, avokatët Haxhi Millaku dhe Naim Rudari, gjatë seancës së sotme kërkuan lirimin e të akuzuarve nga masa e paraburgimit.
Këtë e kanë bërë me arsyetim se ka kaluar një kohë e gjatë dhe se nuk ekzistojnë më kushtet e parapara me ligj për vazhdimin e kësaj mase.
Ndërsa prokurori i rastit Armend Hamiti kërkoi nga gjykata që masa e paraburgimit të qëndrojë në fuqi duke u bazuar në peshën e veprës penale.
Trupi gjykues e refuzoi propozimin e avokatëve me arsyetim se ende nuk kanë pushuar shkaqet për vazhdimin e saj.
Gjatë kësaj seance u dëgjuan edhe dy dëshmitarët Ismet Shabani dhe Rrustem Berisha.
Shabani në dëshminë e tij tha se qëndron prapa raportit të cilin e ka përpiluar si hetues rajonal për ditën kritike.
Ai shtoi se atë ditë kishte përgjegjësi për menaxhimin e vendit të ngjarjes ku në kuadër të këtyre veprimeve ai tha se bëhet edhe identifikimi i kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes, mirëpo tërheqjen e tyre e bën një ekip i veçantë.
Tutje në pyetjet e avokatit Naim Rudari, Shabani pohoi se ditën kritike ka shkuar në vendin e ngjarjes pasi ka ndodhur ngjarja dhe se nuk e ka parë si ka ndodhur ajo.
Në vazhdim u dëgjua edhe dëshmitari Rrustem Berisha, i cili tha se ka përpiluar raportin edhe skicën e këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Ai tha se në vend ngjarje nga një kolegë i tij është sjellur një çantë e zezë në të cilën është gjetur një armë.
Ndërsa në stacionin policor Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, ai tha se i është marrë mostër të grimcave të barutit nga dy duart me foli ngjitëse transparente.
Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim.
Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.
Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndjerit Rrahman Uka.
Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.
Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.
Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.
Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.
Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.
Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.
Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK