ARKIV Autoambulanca intervenon pas vrasjes në 'Bon Vivant' në prishtinë më 13 tetor 2014. Foto: TV21

Vrasja në ‘Bon Vivant’ kthehet në rigjykim  

 

Gjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtor Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin për vrasjen e Rrahman Ukës, rojën e ‘Bon Vivant’-it.

Gjykata Masar Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj  burgim, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Vendimi i datës 22 janar 2019, ishte kundërshtuar nga prokuroria Themelore dhe avokati Besnik Berisha mbrojtës i të akuzuarit Masar Gërdovci.

Ankesat e palëve lidhur me vendimin e gjykatës shkojnë drejt vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe shkeljes së rregullave të Kodit të procedurës penale të cilat gjykata është e obliguar t’i zbatojë.

Gjykata e Apelit gjeti se janë të bazuara pretendimet e Prokurorisë lidhur me mungesën e identitetit të dispozitivit të aktakuzës dhe dispozitivit të aktgjykimit, sepse Dispozitivi i aktakuzës nënkupton gjendjen faktike si ka ndodhur rasti në fjalë.

Andaj në aktakuzën e prokurorisë ekziston konstatimi se i akuzuari Sherif Krasniqi ia ka marr revolen nga dora të akuzuarit Masar Gërdovci duke shkrepur dy herë në drejtim të tani të ndjerit Rrahman Uka, ndërsa në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar konstatohet se i akuzuari Masar Gërdovci me dashje duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë në lokal ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rrahman Uka duke shkrepur me revole dy-tre herë në distancë përafërsisht 1 (një) metër.

Mirëpo gjykata e shkallës së parë për të akuzuarin Sherif Krasniqi ka ricilësuar veprën nga vepra penale e vrasjes në veprën pjesëmarrje në rrahje pa e arsyetuar fare vendimin e tillë se pse veprimet e tani të akuzuarit Krasniqi nuk bëjnë pjesë në veprën penale të vrasjes.

Ndërsa sipas mbrojtësit të të akuzuarit Masar Gërdovci, avokatit Besnik Berisha, arsyetimi i aktgjykimit të gjykatës është i mangët, i pakuptueshëm dhe i paqartë sepse nuk përmban fakte vendimtare me të cilat është elementi i rrezikshmërisë së personave të tjerë që të cilësohej vrasja si vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ushte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal, për vrasjen tij akuzohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

 

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për vrasjen në Bon Vivant – LINK