Foto: Rtv21

Vrasja me pagesë në Deçan, prokurorja: Për ekzekutimin, të akuzuarit morën 50 mijë franga

Në Gjykatës e Pejës po mbahet procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, ku po gjykohen 4 persona: Bekim Raja, Gjon Pnishi, Murat Sinanaj dhe Avni Sinanaj.

Prokuroria po pretendon se vrasja u krye me pagesë.

Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj gjatë dhënies së fjalës përfundimtare tha se motivi i të akuzuarit Murat Sinanaj për kryerjen e vrasjes është përfitimi i disa mijëra eurove për vete dhe për të akuzuarin Avni Sinanaj.

Sipas prokurores, ata përmes vëllait të tyre, Vehbi Sinanaj, nga i akuzuari Bekim Raja kanë marrë 50 mijë franga zvicerane.

Prokurorja lexoi disa nga mesazhet e dërguara nga Gjon Pnishi në numrin që, sipas saj, ka qenë në posedim të të akuzuarit Murat Sinanaj.

“Murat, Gjoni jam, e kam thirr Avninë as nuk po ma çel, e për ty a fort i keq kesh qe i mora 18 vjet burg e nuk ja përmenda emrin askujt. Nëse nuk me bini mas kam me tregu, për ty të parin se e ki vra, për Bekim Rajën se i ka pagu, për veti se e kam çikën kah vdes, ju po boni hajgare, a për veti i keni marrë 50 mijë franga, kush dojnë të më vrajnë, të tanve na ka pasë kajtë paret…”, lexoi prokurorja.

Prokurorja kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Sa i përket të akuzuarit Gjon Pnishi, prokurorja propozoi qe t’i shqiptohet dënimi nën minimumin ligjor për veprën penale për të cilën akuzohet, sepse sipas saj pa dëshminë e tij “nuk do të ishim këtu ku jemi”.

Disha-Haxhosaj prezantoi para trupit gjykues me fotografi mesazhet mes të pandehurve të siguruara përmes masave të përgjimeve, e po ashtu fotografi nga vendi j ngjarjes, ku shihet i vrarë i ndjeri Ferdinand Gjini.

Sot gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar lidhur me kanosjen qe i është bere prokurores për t’u tërhequr nga rasti.

Denoncimi i Prokurores që po heton vrasjen me pagesë: Njerëz autoritativë më ofruan para

Po ashtu është raportuar për motivin e porositjes së vrasjes nga i akuzuari Bekim Raja.

Dosja: Vrasja me pagesë për borxhin prej 10 mijë eurove

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë frangash zvicerane.

Sipas aktakuzës, më 23.6.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substancë narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.