Vrasja me pagesë, i dyshuari pi shampanjë me Nasim Haradinajn e Hajdar Beqën (FOTO)

Në procesin gjyqësor ndaj Bekim Rajës janë sfiduar lidhjet e tij me politikën.

Pas prokurores, e cila ka përmendur se i akuzuari për porositje të vrasjes me pagesë kishte rënë në përgjime duke kërkuar ndihmë nga deputeti Hajdar Beqaj, i pandehuri është sfiduar me pyetjet e radhës.

I akuzuari Bekim Raja është pyetur nga vëllai i viktimës Ferdinand Gjini, Pashku, nëse e njeh Hajdar Beqën.

“Hajdar Beqën a e njeh  vetëm si deputet apo më shumë?”, pyeti Pashk Gjini.

“E njoh si deputet, si krejt njerëzit. Kam pi kafe me të, ka qënë edhe në Zvicër”, u përgjigj i akuzuari.

“Po Nasim Haradinajn a e njeh?”, pyeti sërish Pashk Gjini.

“Kush nuk e njeh, unë e njoh”, u përgjigj Bekim Raja.

Pasi që kur prokurorja e kishte pyetur të pandehurin a e njihte Hajdar Beqën dhe ai ishte përgjigjur me “shumë pak”, vëllai i viktimës tha se Bekim Raja njihet shumë mirë me ish-deputetin e PDK-së, duke treguar një foto të bërë në jahtin e Bekim Rajës, ku ky i fundit bashkë me Hajdar Beqën e Nasim Haradinajn shihen duke pirë shampanjë.

I akuzuari Raja nuk e komentoi fotografinë.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, vrasje që ka ndodhur më 2014 në Prapaqan të Deçanit, po zhvillohet në Gjykatën e Pejës.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014 e kanë vrarë Ferdinand Gjinin.

Për vrasjen e Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë të akuzuarit kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Gjon Pnishi ka rrëfyer para trupit gjykues momentin prej njohjes me Bekim Rajën e deri në përfundim të ngjarjes, qe përfundoi me vrasjen e Ferdinand Gjinit.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Me këtë rast i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinanaj dhe Murat Sinanaj.