Foto: Kallxo.com

Vrasja e vitit 2017 në Rahovec, i akuzuari sërish lirohet nga akuza

Feriz Hoti, i akuzuar për vrasjen e Hamdi Jusufit në maj të vitit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, sërish u lirua nga akuza e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Në këtë rast, Prokuroria pretendon se Hoti kishte qëlluar Hamdi Jusufin, i cili kishte qenë me Muhamet Kiçmarin, Liridon Sylejmanin dhe Evan Poterën që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F”, për të vjedhur brenda.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i ndihmuar nga anëtarët Ilir Rashkaj dhe Myfera Hoxha, sot liruan nga aktakuzat e Prokurorisë të akuzuarin Feriz Hoti, në mungesë të provave.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, tregoi se arsyetimin e aktgjykimit palët do ta marrin në formë të shkruar.

Ndërsa, gjatë shpalljes së aktgjykimit, nëna e të ndjerit Hamdi Jusufi filloi të qante.

Detaje nga rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e gjilanasit në Ratkoc të Rahovecit

Hoti në mungesë të provave ishte liruar edhe në shtator të vitit 2018.

Gjykata vendosi për rastin e vrasjes në Ratkoc të Rahovecit

Prokuroria akuzonte Hotin se këto vepra i kishte kryer natën e 17 majit të vitit 2017, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, ku kishte qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij, duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin nga Gjilani.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë së Gjakovës, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin se dëshmitari Bajram Morina duhej të ballafaqohej drejtpërsëdrejti me të akuzuarin Feriz Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ish-prokurorja Shpresa Bakija, thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F”, për të vjedhur brenda tij, ai doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Në aktakuzë thuhet se katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai kishte vazhduar të gjuante drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzës së Prokurorisë.

Në këtë rast, ishte rihapur gjykimi, për shkak të gjetjes së një dëshmitari të arratisur më parë nga burgu.