Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Vrasja e vëllezërve Berisha, eksperti i hartografisë do të tregojë ku ishte i akuzuari në momentin e vrasjes

Gjykata e Pejës nuk ka arritur të vazhdojë sot procesin gjyqësor ndaj Binak Panxhës, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës.

Arsim e Ramiz Berisha u vranë më 22 korrik të vitit 2017.

Në seancën e sotme ishte ftuar të dëgjohej në cilësi të ekspertit një zyrtar nga kompania “Vala”, me qëllim që të përcaktohet përmes numrit të telefonit vendndodhja e saktë e të akuzuarit Panxha në ditën kur ka ndodhur vrasja.

Por, sipas gjyqtarit Sami Sharraxhiu nga zyra ligjore e kompanisë “Vala” ishte njoftuar se të njëjtit nuk kishin ekspertë të hartografisë.

Në këto rrethana, trupi gjykues ka marrë vendim që të caktohet një ekspert i pavarur i hartografisë me studime të përfunduara në Fakultetin e Telekomunikacionit.

Seanca e radhës u caktua për më 27 dhe 30 prill 2020.

Prokuroria e Pejës e akuzon Binak Panxhën se shkaku i prerjes së pyllit, me dashje i ka privuar nga jeta dy vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berishën.

Në aktakuzë thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre Jetlir Gashin ishin nisur me kuaj në pyll për të prerë dru.

Pasi i parkojnë qerret buzë rrugës dhe futen në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim dëgjohet duke thirrur: “Kush hamami jeni ju?” dhe në atë moment i pandehuri Binak Panxha nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani të ndjerët.

Pas aktit, në aktakuzë thuhet se i akuzuari i largon trupat e të ndjerëve duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes, me ç’rast i vendos në pjesën e tokës pa pronar.

Vrasja e dy vëllezërve në Kosuriq të Pejës, dështon seanca

www.kallxo.com