Vrasja e vëllezërve Berisha, caktohet ekspertizë për vendndodhjen e të akuzuarit në momentin e vrasjes
Në Gjykatën e Pejës sot ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Binak Panxhës, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës.
Arsim e Ramiz Berisha u vranë më 22 korrik të vitit 2017.
Sot për të dytën herë është vendosur që të bëhet ekspertizë e hartografisë në atë mënyrë që të caktohet vendndodhja e të akuzuarit në momentin e vrasjes së vëllezërve Berisha.
Kjo ekspertizë do të kryhet nga një ekspert nga lista e ekspertëve të gjykatës.
Në seancën e kaluar është urdhëruar që kompania “VALA” të kryej këtë ekspertizë, por të njëjtit nuk e kanë zbatuar këtë urdhëresë dhe as nuk janë paraqitur sot në Gjykatë.
Në këto rrethana sot është vendosur që ekspertizën ta përpiloj një ekspert nga lista e ekspertëve të pavarur gjyqësor.
Vendimi i trupit gjykues nuk u kundërshtuar nga prokurori i shtetit Agron Galani, e as nga mbrojtësi i të akuzuarit Binak Panxha, avokati Osman Cucovic.
Avokati Cucovic i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga masa e arrestit shtëpiak, mirëpo një propozim i tillë u refuzua nga trupi gjykues me kryetar Sami Sharraxhiun.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 17 shtator.
Prokuroria e Pejës e akuzon Binak Panxhën se shkaku i prerjes së pyllit, me dashje i ka privuar nga jeta dy vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berishën.
Në aktakuzë thuhet se dy viktimat së bashku me shokun e tyre Jetlir Gashin ishin nisur me kuaj në pyll për të prerë dru.
Pasi i parkojnë qerret buzë rrugës dhe futen në pyll (pronë e të pandehurit) për të prerë dru, pas disa çastesh viktima Arsim dëgjohet duke thirrur: “Kush hamami jeni ju?” dhe në atë moment i pandehuri Binak Panxha nga arma automatike shkrep 3 herë e më pas shkrep rafal 11 herë, duke i privuar kështu nga jeta tani të ndjerët.