Vrasja e vëllait pas mosmarrëveshjes për bagëti, gjykata e dënoi të akuzuarin me 21 vjet e 6 muaj burg

J. G. Është dënuar sot nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 21 vite burg nën akuzën se e ka vrarë vëllanë e tij në qershor të vitit 2021.

Gjykata e gjeti fajtor J. G. për vrasjen e të vëllait pas një mosmarrëveshje për bagëti.

Gjykata,  të akuzuarit nga fshati Sopniq i Rahovecit, i shqiptoi dënim unik me 21 vjet e 6 muaj burg.

Sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, konstatohet se është vërtetuar aktakuza e prokurorisë për vrasjen e rëndë të ndodhur në fshatin Sopniq në qershor të vitit 2021.

Prokuroria akuzon personin në fjalë, J. G., për veprat vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas akuzës së prokurorisë, J. G. akuzohet se në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllanë e tij H. G., i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e dy të dëmtuarve.

Sipas prokurorisë, viktima së bashku me dy djemtë e tij shkojnë në oborrin e të akuzuarit për t’ia dërguar bagëtinë dhe aty pas një fjalosjeje të çastit i akuzuari J. G., e nxjerrë një revole nga xhepi i djathtë i pantallonave dhe atë të tipit “Zoraki”, e me të njëjtën shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili në ikje e sipër qëllohet me dy të shtëna, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës thuhet se palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.