Arkiv -Enver Sekiraqa - Foto: KALLXO.com

Prokurori Gecaj kërkon dënim shembullor për Enver Sekiraqën

Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitjen Arben Berishës për vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza, ka përfunduar sot.

Shpallja e aktgjykimit, pritet të bëhet me 16 shtator.

Enver Sekiraqa sipas aktakuzës ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës me datën 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë me datën 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Prokurori i rastit Haki Gecaj, në fjalën përfundimtare kërkoi nga Gjykata që Enver Sekiraqën ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë një dënim shembullor i cili do të jetë mësim për të gjithë ata që do të veprojnë si akuzuari Enver Sekiraqa.

“Prokuroria kërkon një dënim të tillë pasi është e bindur se Enveri ka nxitur Arben Berishën për ta tërhequr këmbëzën e cila vrau Triumfin duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve: Shefqet Riza, Gazmend Hoti, Blerim Shala, Faton Shoshi, D. M., Shpend Qerimi, leximin e deklaratave të dëshmitarit B., Fadil Gashi, Adelina Ismajli, Mona Ismajli, Ema Ismajli, Zanfina Ismajli, Kaltrina Berisha, Naser Sekiraqa”, tha prokurori Gecaj.

Ai tha se: “Prokuroria për të vërtetuar fajësinë e Sekiraqës para gjykatës bëri lidhjen e Enverit me Triumfin përmes deklaratës së Shefqet Rizës, babit të të ndjerit, sipas së cilës thuhet se Triumfi kishte pasur shqetësime, përcjellje prej vitit 2000, duke filluar nga rasti i ‘Sëiss Casinos’. Pastaj  problemit që ka ndodhur duke shkuar në fshat, te kisha në Prishtinë, te lokali AM:PM, përcjelljet ishin me vetura dhe skuterë nga njerëzit e Enverit”.

Prokuorri special Haki Gecaj deklaroi se: “Prokuroria në bazë të një videoinçizmi të një ahengu në oborrin e shtëpisë së Sekiraqës, para gjykatës demantoi mohimin e Enver Sekiraqës  se i njëjti nuk njihte Arben Berishën si dhe deklaratën e Arben Berishës, i cili gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte thënë se ‘nuk kam punuar kurrë te Enver Sekiraqa, asnjëherë nuk kam pasur ndonjë raport me të’”.

Tutje për të vërtetuar lidhjen e grupit të Enver Sekiraqës me përcjelljen dhe  vrasjen e Triumfit, prokurori Gecaj sot lexoi edhe sms-ët e  shkëmbyer në mes Ilir dhe Rrahim Avdullahut të datës 28 gusht 2007, në të cilin shkruhej “Jemi te AM:PM-i në kam me Benin t`u këqyr për qat shokun’’,  si dhe sms “Vollin dhez e kom pas ton kohën, ishum me Ronin po sen s’pat’’, duke aluduar në Triumfin.

Sipas dosjes së Prokurorisë për ditën e vrasjes së Triumf Rizës dëshmitari B. kishte deklaruar se në ditën kritike para daljes së grupit kishte dëgjuar se i akuzuari kishte urdhëruar vrasjen e Triumfit duke thënë se “kjo gjë duhet të bëhet sot’’ dhe po atë ditë u vra Triumfi.

Në bazë të deklaratës së dëshmitarit Besnik Hasani, thuhet se “Arben Selmani e kishte thirrur në telefon ditën e vrasjes së Triumfit dhe në mënyrë decidive i kishte  thënë se ‘e vrajti Enver Sekiraqa Trimufin’”.

Ndërsa, Prokuroria si motiv të vrasjes e lidh urrejtjen e gjatë dhe të thellë ndaj Triumfit për rastin e ndodhur me datën 24.12.2005 në “Sëiss Casino”, ku i pranishëm ishte Sekiraqa me grupin.

Sekiraqa me datën 16 janar 2006 kishte dhënë deklaratë në të cilën thuhej: “Triumfi më ka sulmuar fizikisht dhe më ka goditur me kondakun e pistoletës disa herë, për shkak se unë më herët isha në lidhje  me Adelinën”.

Në anën tjetër, babai i Triumfit, tani i dëmtuari Shefqet Riza, në fjalën përfundimtare tha se: “Triumf Riza ka qenë polic elitar, ka qenë themelues i Rosus, i ka 18 dekorata dhe mirënjohje, një gjë dua të theksoj se po të ishte problematik si u mundu me paraqit mbrojtja nuk kishte me gëzu këtë autoritet që e ka andaj i bashkëngjitëm ndjekjes penale dhe nuk heqë dorë nga asnjë e drejt imja”.

Avokatja e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, në fjalën përfundimtare tha se Gjykata duhet të marrë aktgjykim lirues.

“Nuk u la gurë pa u lëvizur për të vërtetuar fajësinë e Sekiraqës, por prokuroria nuk ia doli që ta përshkruaj se kur, si dhe me çka Enver Sekiraqa arriti me bindë Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, e lëre më ta vërtetojë një gjë të tillë”, tha ajo.

Sipas saj kjo vërtetohet edhe nga deklarata e Arben Berishës, i cili para gjykatës kishte thënë: “Po kush është ai njeri që do vuante 35 vite për të vrarë për Enver Sekiraqën, a jam budalla unë që ta humb jetën për Enver Sekiraqën. Vrasjen e kam kry vet për arsye të mija nuk më ka shty as Enveri as askush tjetër’’.

Lidhur me motivin e vrasjes së Rizës, Kosovare Kelmendi tha se nuk ka asnjë shkas që e lidh Sekiraqën me vrasjen.

Kelmendi foli edhe për rastin e njohur si ‘rasti i Ferizajt’ dhe ish të dashurës Ardiana, e cila menjëherë pas ndarjes nga Enveri ishte bërë e dashura e Besnik Hasanit.

“Rasti  është identik me rastin e Sëiss Casinos dhe me ish të dashurën A. I., që sipas prokurorisë Enver Sekiraqa të ketë urryer dhe të ketë nxitur vrasjen e Triumfit, do të duhej të kishte pasur motiv për ta vrarë edhe Besnikun, por Sekiraqa asnjëherë nuk u hakmor ndaj Besnik  Hasanit”, tha Kosovare Kelmendi.

Tutje mbrojtja deklaroi se: ‘’Vra për vra Enver Sekiraqa është dashtë me vra Besnik Hasanin, i cili është motori i fatkeqësive në jetën e Sekiraqës’’.

Kelmendi tha se: “Sipas deklaratës se dëshmitares Mona Ismajli për Enverin kishte thënë ‘’për kta a e kisha hangër me dhom të kisha pas problem me të,  po qa me ju ba atyne me grada’’. Nga kjo deklaratë shihet presioni që kishin pasur Mona me familjen e saj nga ana e disa policëve për të krijuar një themel për ngritjen e një aktakuze ndaj Enver Sekiraqës”.

E në fund mbrojtja e Sekiraqës e sfidoi prokurorinë duke thënë se: “Ju sot e ndërruat përmbajtjen e sms-it, i cili është ‘O Vollin dhez e kam pas ton kohën, u enum me Ronin po sen s’pat’, e jo te AM:PM-i qysh thatë ju”.

Ndërsa i akuzuari Enver Sekiraqa, sot deklaroi se të gjitha këto telashe i ka sipas tij për shkak se ka qenë dëshmitar në një krim lufte.

“Ka edhe politikanë që kanë bërë presione nëpër institucione të ndryshme për t’i fshehur aferat e tyre. Po të kisha pas arsye për me i vra policët që më kanë rrahë, montu procese asnjë prej tyre s`kish me qenë para Besnik Hasanit, por unë asnjëherë nuk jam marrë me ta privatisht, sepse e kam ditur që janë të urdhëruar prej njerëzve më të lartë”, tha i akuzuari Sekiraqa.

“Mua më kanë ruajt edhe brenda burgut Njësia Speciale, sepse e kanë dit se jam i kërcënuar dhe me kë kanë të bëjnë”, deklaroi në fjalën përfundimtare të tij i akuzuari për nxitje në vrasje, Enver Sekiraqa.

Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës – 04.09.2019

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënim me burgim. 35 vite Arben Berishës, 10 vite Fitim Avdiut, 5  vite Rrahim Avdullahut.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi.

Shpallja e vendimit do të bëhet me 16 shtator në ora 13:00.