Enver Sekiraqa në gjykatë (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Shefqet Riza rideklarohet, Enver Sekiraqa nxiti vrasjen e Triumfit

Enver Sekiraqa, i cili akuzohet për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e policit Triumf Riza, sërish sot është ulur në bankën e të akuzuarit.

Në seancën e sotme Sekiraqa, sërish është deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për akuzat që Prokuroria i vë në barrë.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor Arben Berishën, të cilin e ka dënuar me 35 vjet burgim.

Prokurori i rastit Haki Gecaj, tha se i përmbahet fjalës hyrëse të trupit të mëparshëm gjykues.

“Jam i bindur në shkresat e lëndës dhe s`kam asnjë kundërshtim”, tha prokurori Gecaj.

Kurse i dëmtuari Shefqet Riza, që njëherit është dhe babai i të ndjerit Triumf Riza, tha se absolutisht nuk dyshon se kush është nxitësi në këtë çështje penale.

“Për mua dhe familjen time absolutisht s’kemi dyshim se kush është fajtor, nxitës kryesor është Enver Sekiraqa”, tha ai.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, tha se Gjykata e shkallës së parë dhe Prokuroria duhet të konkretizojnë veprimet e të akuzuarit.

“Mbrojtja fuqimisht beson se ju keni analizuar vendimet e Gjykatës së Apelit dhe vërejtjet e sugjerimet e kolegjeve të Apelit, të cilat vendime urdhërojnë Gjykatën e shkallës së parë e njëkohësisht dhe Prokurorinë që të konkretizojnë veprimet e të akuzuarit, në drejtim të veprës penale, shtytje për vrasje të rëndë”, tha avokatja Kelmendi.

“Duke u bazuar në vërejtjet e Apelit, kërkojmë që të akuzuarin ta lironi nga akuza”, shtoi ajo.

Seanca e radhës u caktua për datën 4 shkurt, në ora 10:00.

12 vjet pas vrasjes së Rizës, më 16 shtator të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtor për herë të dytë Enver Sekiraqën për nxitje të kësaj vrasjeje.

Trupi gjykues Sekiraqës i shqiptoi dënim me burgim prej 30 vjetësh, ndryshe nga hera e parë kur Sekiraqa u gjykua nga trupi gjykues i EULEX-it, i cili i shqiptoi dënimin me burgim prej 37 vjetësh.

Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë. Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumfi Rizës janë shqiptuar gjysmë shekulli dënime me burgim ndërsa dënimi më i lartë i është shqiptuar Arben Berishës si ekzekutor i kësaj vrasje – 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Në vitin 2019, në 12 vjetorin e vrasjes së Triumf Rizës, KALLXO.com kishte shkruar pasi Policia e Kosovës nuk kishte aranzhuar homazhe për nder të përvjetorit të tij të vdekjes. Këtë injorim nga Policia e Kosovës kishte refuzuar ta komentonte edhe Shefqet Riza, babai i Triumf Rizës.