Vrasja e të dyshuarit për vjedhje në Shtime, dënohet mërgimtari bashkë me të vëllanë

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve A. N. dhe N. N.

Ata sipas Prokurorisë së Ferizajt, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

Të akuzuarit A. N., iu shqitua dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, ndërsa të akuzuarit tjetër N. N., dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy  vjet e tre muaj.

“Kryetari i trupit gjykues, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të akuzuarit i shpalli fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, njofton Gjykata në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F. G., i cili paraprakisht me A. T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N. N. fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të akuzuarit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t’ia marrin nga dora tani të ndjerit – thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F. G. mbetet i vdekur në vend.

“Kundër aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, përfundon njoftimin e sajë Gjykata.

 

Vrasja në Shtime: Mërgimtari del nga paraburgimi në arrest shtëpiak