Seanca për vrasjen e të dyshuarit për grabitje në Shtime - 18.12.2019

Vrasja e të dyshuarit për grabitje në Shtime, dy vëllezërit e akuzuar deklarohen për fajësinë

Nuhi e Avni Nrecaj, të akuzuar për vrasjen e Fehmi Gashit, i cili së bashku me Arton Tahirajn kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurit Nuhi Nrecaj me qëllim të grabitjes, janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën e Ferizajt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Fehmi Gashi bashkë me Arton Tahirajn me datë 7 gusht 2019, rreth orës 3:20 në fshatin Petrovë të komunës së Shtimes, kishin hyrë në shtëpinë e Nuhi Nrecajt me qëllimin për të kryer grabitje.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Nuhi e Avni Nrecaj kanë vrarë Fehmi Gashin.

Prokuroria këtë vrasje e ka kualifikuar si – vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

Në aktakuzë jepen detaje nga incidenti.

Sipas Prokurorisë, me t’i vërejtur i pandehuri Nuhi Nrecaj të dyshuarit, fillon të përleshet fizikisht me ta.

Aktakuza sqaron se tanimë i ndjeri Fehmi Gashi gjuan me armë në drejtim të Nuhi Nrecajt, duke e plagosur në këmbën e djathtë.

Tutje në aktakuzë thuhet se i ndjeri Fehmi Gashi së bashku me Arton Tahirajn largohet nga shtëpia dhe më pas Nuhi Nrecaj kërkon ndihmë nga vëllai i tij Avni Nrecaj.

Në aktakuzë theksohet se i ndjeri dhe Arton Tahiraj kanë shtënë me armë zjarri nga një distancë 300 metra në drejtim të të pandehurve. Tutje Prokuroria pretendon se Nuhi e Avni Nrecaj arrijnë tek i ndjeri Fehmi Gashi, fillon përleshja, ku në duar i ndjeri kishte një armë dhe një thikë.

“Fillimisht Avni Nrecaj me një letfë e godet në pjesë të trupit duke e rrëzuar në tokë e më pas involvohet edhe Nuhi Nrecaj, i cili fillimisht ia largon armën nga dora e më pas me thikë të cilën arrin t’ia marrë nga dora të ndjerit, pastaj e godet disa herë në regjionin e djathtë të qafës, me ç’rast si rezultat i gjakderdhjes së jashtme dhe si pasojë e plagës tejshpuese në regjionin e djathtë të qafës i ndjeri ndërron jetë”, thuhet në aktakuzë të cilën e përfaqëson prokurori Veton Shabani.

Gjatë seancës së sotme para gjykatësit Mustafë Tahiri të pandehurit iu dha mundësia që të deklarohen lidhur me fajësinë.

Dy vëllezërit,  Nuhi dhe  Avni Nrecaj nuk e pranuan fajësinë lidhur me veprën e cila u vihet në barrë.

Ndërsa në seancën e sotme prezent ishte edhe i dëmtuari, babai i të ndjerit Fehmi Gashi, Bajram Gashi, me mbrojtësin e tij, avokatin Asdren Hoxha, dhe e njoftuan Gjykatën se do të paraqesin kërkesë për shpërblim të dëmit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Vrasje në Shtime