Vrasja e Sefer Berishës - Një muaj paraburgim për të dyshuarit

G. A. dhe B. N., të dyshuar në rastin e vrasjes së Sefer Berishës në Malishevë, me vendim të Gjykatës së Gjakovës pritet të qëndrojnë 30 ditë në paraburgim. Kjo pasi Gjykata e ka miratuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj tyre.

G. A. dhe B. N. Sipas dosjes së Prokurorisë dyshohen se në bashkëkryerje, bashkë me tani të akuzuarën Nafije Rrafshi, se kanë privuar nga jeta Sefer Berishën.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Gëzim Pozhegu, ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve.

Këtë vendim gjykatësi Pozhegu, e ka arsyetuar se nëse të njëjtit gjenden në liri do të mund të rrezikonin rrjedhën e procedurës penale, të ndikonin në dëshmitarë, e po ashtu duke mos anashkaluar edhe rrezikun e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Ky rast dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Kërkesa e Prokurorisë shpjegonte rastin e vrasjes së 57 vjeçarit.

“Përderisa në veturë ishte tashmë e akuzuara Nafije Rrafshi bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, për një moment Nafija e ndal veturën, dhe bashkë me dy të pandehurit tjerë G. A. dhe B. N.,  i afrohen veturës së tani të ndjerit, ku njëri prej të pandehurve gjuan nga jashtë automjetit në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

Kallxo.com ka raportuar kur të njëjtit janë arrestuar dhe më pas kanë dalë para gjyqit.

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një burrë i dyshuar.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes- thuhet në aktakuzë.

Aktakuzë ndaj një të dyshuare për vrasjen në Lladrovc të Malishevës

.