Gjykimi ndaj Nafije Rrafshit, e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës

Vrasja e Sefer Berishës në Malishevë - Prokuroria kërkon nxjerrjen e provave të reja

Gjykimi ndaj Nafije Rrafshit, e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës, vrasje që ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar në Lladrovc të Malishevës, është shtyer për datën 16 janar.

Prokurori Ali Uka, me shkrim kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhej, me arsyetimin se në këtë rast duhet të nxirren prova të reja.

“Në këtë çështje pas ngritjes së aktakuzës dhe mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore e administrimit të provave, është më se e nevojshme të mblidhen prova të reja, ashtu që pas sigurimit të atyre provave të reja me kohë do të njoftohet gjykata për veprimet e ndërmarra. Këtë gjë e kërkoj duke u mbështetur në dispozita ligjore, andaj kërkojmë që ky shqyrtim të shtyhet për një kohë të pacaktuar”, deklaroi prokurori Ali Uka.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarës Nafije Rrafshi, avokati Ndrec Dodaj, tha se e mbrojtura e tij po mbahet pa arsye në paraburgim dhe se kërkesa e prokurorisë është e pabazë.

“Në kërkesën e prokurorit e pash një formulim stereotip, sepse nuk e dimë a kemi nxjerrje të provave të reja apo hapje e hetimit të ri dhe për shkak të mungesës së guximit profesional e për shkak të hetuesve policor, me këtë kërkesë po tentohet të manipulohet edhe trupi gjykues”, tha avokati Dodaj.

Avokati Ndrec Dodaj, tha se nuk ekziston asnjë provë që po akuzohet mbrojtura e tij.

“Prokurori apo prokuroria, ka mundësi të tjera ligjore me i nxjerr provat, mundet me e nxjerr të akuzuarën nga paraburgimi, pasi që nuk ka prova se ajo ka kryer veprën penale. Po e potencoj edhe lëshimin që e kanë bërë hetuesit policor, që kjo gjë ndikon edhe në imazhin e gjykatës, sepse pa fije turpi hetuesit dhe prokuroria dalin dhe mburren në media, e këto veprime nëse gjykata i aprovon do të jenë në kundërshtim me dispozitat ligjore sidomos që e akuzuara po mbahet ende në paraburgim”, deklaroi avokati Ndrec Dodaj.

Gjithashtu avokati Ndrec Dodaj, tha se është detyruar që nga qendra e paraburgimit të merr një autorizim të veçantë nga e akuzuara, me arsyetimin se te e akuzuara është duke u ushtruar një presion në drejtim të cenimit të besueshmërisë mes avokatit dhe të akuzuarës.

“Nga shqetësimi dhe obligimi që kam ndaj klientit jam detyruar që të marr një autorizim të drejtpërdrejtë nga e akuzuara, sepse në fillim djali i saj Faton Zabeli më ka autorizuar dhe i njëjti tash po tenton të ndërhyjë”, deklaroi avokati Dodaj.

Ndërsa gjykatësi Shaqir Zika, i ndihmuar nga gjykatëset Manduhije Syla dhe Besarta Doli, caktuan seancën e radhës për datën 16 janar të vitit 2020.

Edhe seanca e fundit me datë 15 nëntor, ishte shtyrë me kërkesë të prokurorit Ali Uka, sepse i njëjti ka pasur nevojë të konsultohej me prokurorin të shtetit.

Në muajin tetor janë dëgjuar CD-të me përgjimet pas aplikimit të masave të fshehta si dhe janë shikuar pamjet e kamerave të vendit të ngjarjes.

Prokuroria e Gjakovës po akuzon Nafije Rrafshin për vrasjen e 57-vjeçarit Sefer Berisha.

Ky rast i vrasjes në Lladrovc të Malishevës, për çka po gjykohet Nafije Rrafshi, kishte vazhduar të bëhej gjithnjë e më i paqartë.

Edhe pse e akuzuara fillimisht ishte deklaruar e pafajshme, ajo nuk i mohon veprimet e saja e as që kishte pasur armë pa leje.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në një seancë ishte propozuar që të dilej në vendin e ngjarjes.

Në këtë rast kishin dëshmuar edhe familjarë.

 

 

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës kishte vrarë Sefer Berishën.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytjeje, e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 gushtit 2018, ishte arrestuar një person i gjinisë mashkullore.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.