Foto: Kallxo.com

Vrasja e policit në Skenderaj: CD-të e kërkuara nga Apeli lëshohen në gjykatë

Në gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar të mbahet seanca e radhës e gjykimit ndaj të akuzuarit Maliq Birinxhiku i cili po akuzohet nga prokuroria për vrasjen e policit Valon Goxhuli në shtator të vitit 2015 në Skenderaj.

Në seancën e mbajtur të mërkurën janë dëgjuar eksperti i mjeksisë ligjore Naim Haliti dhe eksperti i balistikës Lutfi Raci.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorti Njazi Rexha, esperti i mjeksisë ligjore ka shpjeguar se trupi i pajetë i Valon Goxhulit ishte ekzaminuar në Institutin e Mjeksisë Ligjore në shtator të vitit 2015, ndërsa ishte konstatuar se vdekja e të ndjerit kishte qenë e dhunshme, si pasojë e gjakderdhjeve të brendshme dhe të jashtme e cila ka ardhë nga dëmtimet e organeve trupore në gjoks dhe në bark e të cilat ishin shkaktuar nga veprimi i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Ndërsa eksperti i balistikës Lutfi Raci ka thënë se ai kishte bërë ekzaminimin e 37 gëzhojave më 6 nëntor 2015, kurse nga konstatimi që kishin bërë thuhej se të gjitha gëzhojat ishin shkrepur prej një arme të kalibrit të njëjtë, nga një pushkë automatike apo gjysmë automatike të llojit AK47 apo versionit të saj.

Kurse përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar Albana Kelmendi ka proppozuar që në gjykatë të ftohej për t’u dëgjuar si dëshmitar zyrtari policor Azem Bulliqi.

Kelmendi e ka arsyetuar propozimin e saj duke thënë para trupit gjykes se zyrtari policor Bulliqi do të sqaronte bisedën e dëgjuar përmes masave të fshehta dhe siç thuhej në kallëzim penal, ku Bulliqi dëgjohej duke biseduar me Ramadan Birinxhikun – babanë e të akuzuarit.

Në këtë bisedë thuhej se Birinxhiku i kishte thënë Bulliqit se “një natë duke biseduar me djem më thanë se po e shohin shpesh, e s’po muj e shohin se ai po del e s’po ia ndin e s’po ruhet hiç”.

Sipas avokates Kelmendi ky dëshmitar do të sqaronte rrethanën se kush ishte ai person i cili po del dhe nuk po ruhet dhe se, sipas saj, nga i njëjti polic do të zbulohet se kush është kryres i veprës penale.

Lidhur me propozimin e avokates Klemendi, trupi gjykues ka thënë se për këto do të vendosë, pasi që trupi gjykues të pranojë raportet e përgjimeve nga ana e prokurorit, në afat prej 5 ditësh.

Kurse meqenëse nga shkalla e dytë ajo e Apelit kur lënda është kthyer në rigjykimi ishte kërkuar që të shikohej CD-ja e cila gjendje ne shkresat e lëndës, e njëtja është lëshuar në monitorin e gjykatës, duke u shikuar nga palët.

Por avokati Ndrec Dodaj i cili e mbron të akuzuarin ka deklaruar se “pas shiqimit të kësaj CD asgjë konkrete nuk shihet përpos të lëvizjes se automjetit dhe nuk shihet askush në automjet “.

Ndërsa meqenëse trupi gjykues me kryetar Beqir Halili dhe anëtar Avni Mehmeti e Tomislav Petroviq nuk kanë mundur të vendosin rreth propozimit të përfaqësueses se të dëmtuarit për shkak se nuk i posedonin raportet e përgjimeve, e për çka prokuroria është obliguar që në afat prej pesë diteve t’ia dorëzoj gjykatës, shqyrtimi është shtyrë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 16 mars.

Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllanë e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij, Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku.

Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Në lidhje me rastin i ndjeri, Valon Goxhuli, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Mitrovicës, në maj të vitit 2015, nga akuza për vrasjen e Bekim Birinxhikut më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Kurse sipas aktgjykimit të cilin atëkohë e kishte shpallur  gjykatësi Burim Ademi,  vrasja e Bekim Biringjikut nga polici Valon Goxhuli ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.