Vrasja e para 32 viteve në Deçan, eksperti: Është e pamundur të përcaktohen sa persona i kanë shkaktuar 16 plagët në trupin e 25 vjeçarit

Naim Uka, ekspert mjekoligjor, sot para gjykatës së Pejës, tha se 16 plagët në trupin e të ndjerit, 25 vjeçarit Zekë Ukaj, ishin shkaktuar me thikë.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelajn se në bashkëveprim më vëllanë e tij, tani të ndjerin Selim Zenelaj, kishin vrarë Zekë Ukajn.

Sot në seancë gjyqësore eksperti Uka tha se është e pamundur të përcaktohet nëse 16 plagët e shkaktuara në trupin e viktimës, ishin kryer nga dy persona apo me përdorimin e dy thikave.

“Kemi konstatuar se është e pamundur të vërtetohet fakti se plagët e shkaktuara në trupin e tani të ndjerit a janë a shkaktuar nga një a po më shumë individ, përkatësisht a kishte mundësi të shkaktohen nga një person apo nga dy persona, 16 plagët në trupin e viktimës janë shkaktuar nga veprimi i mjetit të fortë dhe të mprehtë e me majë-thikë”, tha Uka.

Trupi gjykues me kryetar, gjykatësin Sami Sharraxhiu, aprovoi propozimin e prokurores Sahide Gashi, që të urdhërohet Arkivi i Komunës së Pejës që gjykatës t’i sjellë dosjen e plotë origjinale për këtë rast penal, të para 32 viteve, kur edhe dyshohet të këtë ndodhur rasti.

Ky propozim u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarit, me arsyetimin se propozimi i prokurorisë ka ardhur me 5 vite vonesë, dhe se vetë prokuroria ka dilemë se a është dosja në fjalë origjinale.

Të lexuara u konstatuan dëshmitë e dëshmitarëve Musa Ramaj, Sabrije Ukaj dhe Haki Ukaj.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datën 5 gusht.

Hasan Zenelaj ishte dënuar me 11 vite burgim për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj në marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e paskrupullt, e kanë vrarë 25-vjeçarin tani të ndjerë Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989, mes të akuzuarit dhe vëllait të të ndjerit – Hakiut, Zenelajt e kishin përcjellë të ndjerin, ku pasi i ishin afruar nga prapa, i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e Prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj.

Aktakuza thotë se derisa i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.