Foto: Kallxo.com

Vrasja e para 30 viteve në Deçan, dëshmitari rrëfen ditën kritike

Gjykata e Pejës ka vazhduar procesin gjyqësor për vrasjen e vitit 1989 kundër të akuzuarit Hasan Zenelaj.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelaj qe në bashkëveprim më vëllain e tij Selim Zenelaj kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj.

Selim Zenelaj është në vuajtje të dënimit për këtë vepër penale.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj, thanë se nga provat qe gjenden në shkresat e lëndës, do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale.

Por mbrojtësi i të akuzuarit Hasan Zenelaj, avokati Ramiz Krasniqi, e konsideroi të dështuar aktakuzën e prokurorisë që e ngarkon me vrasje klientin e tij.

Krasniqi shtoi se provat materiale kanë karakter tjetër nga ajo që i prezanton Prokuroria.

“Nuk mund të jenë prova kallëzimi penal, aktakuza as aktgjykimi”, tha avokati Krasniqi.

Si dëshmitar para trupit gjykues u dëgjua Haki Ukaj, vëllai i tani të ndjerit Zekë Ukaj.

Ai tha se para muajit maj të vitit 1989, mes familjes se tij dhe familjes Zenelaj nuk kishin pasur kurrë konflikt.

Haki Ukaj duke treguar për atë ditë që ishte pikënisje e konfliktit, tha se kishte shkuar në bjeshkë për të marrë dru. Aty, sipas tij, ishte edhe i akuzuari Hasan Zenelaj dhe vëllai i tij, të cilët kishin stanin në atë vend.

Ukaj tha se i akuzuari me Vllaznim Zenelajn e kishin kapur për duar aty.

“Përderisa isha duke biseduar me gruan e fqinjëve kanë ardhur Hasani më vëllai e tij Vllaznimin dhe m’i kanë kapur duart, duke m’i dredhur duart”, tha Ukaj.

Lidhur me këtë ngjarje i dëmtuari shtoi se në atë moment ka ardhur edhe Daut Rrustemaj i cili me sa i kujtohet e kishte goditur me gurë.

Në këtë incident që kishte ndodhur në bjeshkë, sipas të dëmtuarit, nuk kishte qenë prezent i ndjeri Zekë Ukaj “dhe se ai asnjëherë nuk kishte pasur konflikt me familjen Zenelaj”.

I dëmtuari, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Gashi tregoi momentet e ditës kritike.

Ai tha se ditën kritike kur ka ndodhur vrasja, kishte takuar Hasan Zenelajn që ishte duke shkuar në Deçan me autobus, ndërsa në Deçan më herët kishte shkuar edhe viktima e rastit.

Dukë bërë një ndërlidhje të kësaj situate, i dëmtuari tha se kishte pasur frikë se do t’i ndodhte ndonjë e keqe vëllait të tij, tani të ndjerë.

Ai tha se aty duke dëgjuar bisedën e një shitësi Ali Hasanmetaj dhe një shok të tij Iset Musaj kishte kuptuar se vëllai i tij ishte vrarë.

“Ku osht ka shkon more a e din qe ja kanë myt vëllain”, tha i dëmtuari duke treguar për bisedën mes atyre personave.

“Unë pastaj shkova për Deçan dhe e pash vëllain tim të shtrirë të vdekur, të mbuluar me një çarçaf”, rrëfeu i dëmtuari para trupit gjykues.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit Isa Osdautaj shpjegoi edhe për një rast konflikti me familjen Zenelaj që kishte pasuar, sipas tij, pas incidentit në bjeshkë.

“Në Strellc të Epërm në rrugë afër rrugës që të dërgon te shtëpia ime, aty jam kapur me Besimin dhe aty e kam shpërthyer me thikë tani të akuzuarin. Pasi që më kanë rre në bjeshkë, ma patën pru shpirtin në fyt tani i akuzuari Hasan dhe Vllaznimi. Në një rast jam detyruar të iki të dal për dritare të ambulancës dhe vazhdimisht më kanë kërcënuar”, tha Ukaj.

Sipas aktakuzës Hasan Zenelaj në marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj nga hakmarrja e paskrupullt, e kanë privuar nga jeta 25 vjeçarin tani të ndjerë Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989 mes të akuzuarit dhe vëllait të të ndjerit- Hakiut, Zenelajt e kishin përcjellë të ndjerin, ku pasi i afrohen nga prapa i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj. Aktakuza thotë se derisa i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.

Seanca e radhës mbahet më 13 janar 2020.