Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oliver Ivanoviqit - Detaje nga dosja e aktakuzës së konfirmuar nga Apeli

Detaje nga aktakuza e konfirmuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve: Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Rade Basara, lidhur aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Apeli ka konfirmuar aktakuzën për krim të organizuar në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Gjykata e shkallës së dytë ka vërtetuar aktvendimin e datës 2 mars 2021 dhe ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së të pandehurit Zharko Jovanoviq, ndërsa aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë është vërtetuar.

Sipas Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtjes nuk janë të bazuara, pasi me aktvendimin për refuzimin e kërkesave për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, Gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit dhe ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmban prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë përfshirë në veprat penale për të cilat akuzohen.

Tutje sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, aktakuza është ngritur brenda afatit të rregullt ligjor dhe se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me aktakuzë të re, por me aktakuzë të përmirësuar e plotësuar pasi që është rekomanduar nga ana e Gjykatës së Apelit.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me veprime hetimore që Prokuroria i ka ndërmarrë, por ka vepruar sipas vërejtjeve të Gjykatës së shkallës së dytë, andaj edhe pretendimet ankimore në këtë drejtim janë të pabazuara”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sa i përket refuzimit të ankesës së të pandehurit Zharko Jovanoviq, Nebojsha Vlajiq, Apeli ka gjetur se nga shkresat e lëndës del se gjatë seancës fillestare mbrojtësi i ka bërë të ditur Gjykatës se në këtë çështje penale është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo i njëjti në aktakuzë nuk është propozuar si dëshmitar.

“Prandaj Gjykata ka vlerësuar se në këtë çështje, qëndrimi i mbrojtësit në cilësinë e mbrojtësit të pandehurit është në kundërshtim me nenin 56 të KPPRK-së, edhe pse paraprakisht kjo dispozitë nuk i ndalon ushtrimin e mbrojtjes avokatit që në procedurë paraprake është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo prokurori special ka potencuar se mund të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor dhe se ekziston rreziku potencial nëse në të ardhmen mbrojtësi propozohet që të dëgjohet si dëshmitar. Në aktakuzë është propozuar që të lexohet si provë deklarata e tij e dhënë në cilësinë e dëshmitarit gjate fazës së hetimit, e më pastaj mund të bie ndesh me nenin 56 të KPPRK, andaj një konstatim të tillë e përkrahë edhe kjo Gjykatë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Për rastin e vrasjes së ish-politikanit Oliver Ivanoviq deri më tani po akuzohen gjashtë persona, ndërsa të përfshirë në këtë rast sipas Prokurorisë janë së paku edhe pesë persona të tjerë të dyshuar.

Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanonviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Marko Roshiq dhe Silvana Arsoviq, sipas Prokurorisë Speciale kanë vepruar si grup kriminal në bashkëpunim me Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e pa autorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcejllë edhe Mirosllav Invanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoiçiq, për t`i eleminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshimtë në vendin e ngjarjes.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke ç’kyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Përpos kësaj polici Markoviq akuzohet edhe se së bashku me policin Zharko Jovanoviq,  kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato.

Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndarësa Millan Radoiçiq, i cili përmendet si udhëheqës i këtij grupi kriminal ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit Sylë Hoxha.

Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa reagime për këtë pati edhe nga ish prokurori Hoxha.