Foto: Kallxo.com

Vrasja e Mentor Zekajt, refuzohet ekzaminimi i sërishëm psikiatrik i Kreshnik Halitit

Gjykata e Pejës ka vazhduar gjykimin për vrasjen e 6 marsit të vitit 2017, ku nga plumbat e shkrepur u vra Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentorit është duke u gjykuar Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

Vrasja po pretendohet të këtë ndodhur për shkak të një borxhi prej 77 mijë eurove që Kreshnik Haliti ia kishte Mentor Zekajt.

22 vite burgim iu shqiptua Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sot në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar eksperti psikiatrik, Jeton Zogaj i cili si kryetar i komisionit e kishte përpiluar raportin lidhur me ekzaminimin psikiatrik për të akuzuarin Kreshnik Haliti.

Ai tha se mbetet në tërësi pranë atij raporti.

Eksperti Zogaj deklaroi se me të akuzuarin Kreshnik Haliti janë bëre intervista individuale dhe ekipore, e që bisedat e zhvilluara mes tij dhe të akuzuarit shkonin mbi 15.

“A konsideroni se ato intervista kanë qenë të mjaftueshme për një vlerësim të drejtë”, ishte pyetja e prokurorit Ardian Hajdaraj drejtuar ekspertit.

“Po sigurisht”, u përgjigj ai.

Avokati Gëzim Kollçaku, si mbrojtës i palës së dëmtuar, pyeti ekspertin se a është e mundur qe fotografitë e video incizimeve ku, sipas tij, shihet një makine në lëvizje e nuk shihet kush është brenda, si provë t’i anashkalojnë të gjitha provat e tjera që janë vlerësuar nga ana e ekspertit.

Dosja e prokurorisë sqaron se në makinë kishin qenë i ndjeri dhe i akuzuari para momenteve kritike.

Lidhur me këtë eksperti deklaroi se mbetet në tërësi pranë mendimit të tij të dhënë me herët.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Haliti, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga dëshmitari të sqaronte se a ka mundësi qe raporti i tij të ndryshonte edhe me këto prova që, sipas tij, eksperti nuk i kishte në kohën e ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit Haliti.

“A mund të pajtohemi që ju sot nuk mund të thoni se ky mendim i juaji do mbetej i njëjtë edhe me këto prova qe i kemi sot”, ishte pyetja e avokatit Berisha.

E këtë pyetje e kundërshtoi avokati Gëzim Kollçaku, me arsyetimin se kjo pyetje është hipotetike meqenëse avokati Berisha nuk po i referohet provave konkrete.

Pasi gjykata e lejoi pyetjen, eksperti deklaroi se mbetet në tërësi pranë mendimit të tij dhe për provat që po i referohet avokati, ai nuk mund të japë përgjigje pa i vlerësuar ato.

Besnik Berisha i propozoi gjykatës që ta urdhërojë ri-ekzaminim psikiatrik për Kreshnik Halitin,  meqenëse, sipas tij, vlerësimi paraprak nuk mbështetet në të gjitha provat e ditës kritike.

“Andaj duhet dorëzuar ekspertëve të gjitha provat qe ata nuk i kanë pasur në kohën kur është bërë ekzaminimi psikiatrik”, tha avokati Berisha.

E tërë kjo, sipas Berishës, nuk ka për qellim prolongimin e çështjes por “që të kontribuohet në zbardhjen e kësaj çështje penale”. Në të kundërtën ai vlerësoi se të mbrojturit të tij do t’i bëhej padrejtësi.

Prokurori Ardian Hajdaraj e kundërshtoi si të pabazuar këtë propozim.

“As herën e parë kur është urdhëruar ekspertiza nuk janë plotësuar kushtet nga dispozitat ligjore, por ekspertiza është bërë dhe ka qenë e qartë”, tha prokurori duke shtuar se në shqyrtim gjyqësor kane qenë edhe ekspertët për të dëshmuar dhe kjo, sipas tij, nuk la asnjë dilemë që ndonjë element i raportit të plotësohet.

Prokurori shtoi se duke marrë për bazë fotografitë nga video incizimi shihet qartë se “nuk kemi video incizim se çka ka ndodhur brenda në veturë, e as audio incizim për bisedën e zhvilluar mes tyre”.

Edhe mbrojtësi Gëzim Kollçaku e kundërshtoi kërkesën që të bëhet një ekzaminim i ri për të akuzuarin Kreshnik Haliti.

Kërkesa e avokatit Besnik Berisha u refuzua nga trupi gjykues që drejtohet nga Lumturije Muhaxheri.

Propozimi u refuzua me arsyetimin se ajo ekspertizë është kryer nga ekspertët profesionistë dhe se edhe nga dëshmia e ekspertëve rezulton se ato prova që i kane pasur kanë qenë të mjaftueshme.

Seancat e radhës mbahen 26 shkurt dhe 6 mars.