Vrasja e Mentor Zekajt, babai i të ndjerit shpërthen në lot në gjykatë

“E gjeta djalin në sanak, pa i pas kujt borxh, kujt borxh nuk i kemi pas”, janë fjalët e Bajram Zekajt, babait të të ndjerit Mentor Zekaj.

Për vrasjen e Mentor Zekajt po akuzohet, Kreshnik Haliti, shok i të ndjerit.

“Unë jam i ndershëm, krejt familjen e kam të ndershme”, vazhdoi tutje Bajram Zekaj.

Këtu reagoi Mirjeta Zekaj, bashkëshortja e të ndjerit e cila iu drejtua të akuzuarit me fjalët “ti mshele”.

Sipas saj i akuzuari tha “po fort të ndershëm”.

Kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj i tërhoqi vërejtjen dëshmitares dhe të akuzuarit.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani të ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

22 vite burgim iu shqiptuan Kreshnik Halitit për këtë vrasje në gjykimin e parë, por pas një ankese të mbrojtjes së tij, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.