Vrasja e kushëririt për kontest pronësor, të akuzuarit sërish para Gjykatës

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit.

Ata po akuzohen (të akuzuarit për vrasje), se me mjete të forta e kanë vrarë, kushëririn e tyre Muhamet Ismajli.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Nexhat Bakiu, deshminë e të cilit Gjykata e ndaloj të publikohet, sepse pas tij do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë dhe mund të dëmtohet rrjedha e procedurës penale.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë edhe më 15 prill.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK