Vrasja e ish-kryeshefit Policisë në kohën e paraluftës, Gjykata vendosi për të akuzuarin - VIDEO

 

Heset Salihaj, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet se e ka vrarë ish kryeshefin e Policisë  në periudhën e para luftës, Nezir Sherifin, është liruar nga akuza për vrasje.

Ai nga Gjykata e Ferizajt sot është liruar nga akuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila atë e ngarkonte për vrasjen e ish-kryeshefit të Policisë së  në kohën e para luftës.

Kujtojmë që në seancën e fundit të mbajtur më 15 qershor prokurorja nga Prokuroria e Speciale e Kosovës Fikrije Fejzullahu, kishte kërkuar nga Gjykata dënimin e të akuzuarit, kurse i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci kërkonin nga Gjykata lirimin e tij nga aktakuza pasi sipas tyre Heset Salihaj nuk është fajtorë lidhur me atë që Prokuroria Speciale e ngarkon.

Ndryshe, më 15 qershor 2020, Gjykata Themelore e Ferizajt kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Salihaj, ku për veprën penale vrasje, të njëjtit i ishte shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 12 viteve. Por këtë vendim të Gjykatës së Ferizajt e kishte prishur Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Heset Salihaj,  i shtyrë nga motive të ulëta, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Nezir Sherifin, ish kryeshef i Policisë, dhe se më 21.10.2004, në rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, derisa i ndjeri ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, i njëjti me armë ka shtënë disa herë në drejtim të tij dhe me atë rast nga lëndimet e marra vdes në vend, ndërkaq i akuzuari ikë nga vendi i ngjarjes mirëpo, aty i mbetet portofoli me dokumentet personale dhe atë: Letërnjoftimi, patentë shoferi dhe disa fotografi personale.