Vrasja e gruas me 14 plumba, refuzohet ekzaminimi psikiatrik i burrit të akuzuar

Është refuzuar kërkesa për ekzaminim psikiatrik për Barjam Velijan, i cili akuzohet se me 14 plumba ia ka marrë jetën gruas së tij.

Gjyqtarja Raima Elezi ka refuzuar kërkesën për ekzaminim psikiatrik të bërë nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Orhan Rekathati.

Bajram Velija, bashkëshorti i të ndjerës ka qenë i dyshuari i vetëm. Sipas dyshimeve të Prokurorisë deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga ai.

“Në momentin kur viktima largohet nga shtëpia e pandehuri pajiset me pistoletë të tipit “Pieto Berreta Gardone” dhe del nga shtëpia i afrohet tashmë të ndjerës A. V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.

Në seancën e kaluar tre herë është dashur ta pyes gjyqtarja e rastit Raima Elezi të akuzuarin Bajram Velija për vrasjen e bashkëshortes, pasi që i njëjti pranonte fajësinë por thoshte se vrasjen nuk e ka kryer me dashje.

Në seancën e sotme mbrojtësi i të akuzuarit avokati Orhan Rekathati i paraqiti Gjykatës kërkesë për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit, meqenëse edhe vetë i akuzuari Bajram Velija kishte deklaruar se “Unë jam fajtor, por jo me dashje“.

Andaj sipas avokatit i akuzuari do të duhej të dërgohej në ekzaminim psikiatrik, në mënyrë që nëpërmjet një ekspertize të vlerësohet gjendja psiqike dhe mendore e të akuzuarit në momentin kur ka ndodhur ngjarja kritike.

Mbrojtësi i të akuzuarit për këto pretendime, Gjykatës nuk i ofroi prova materiale apo dokumente tjera në bazë të cilave do të vërtetonte pretendimet se i akuzuari mund të ketë pasur në të kaluarën probleme psiqike apo çfarëdo trajtimi tjetër psikiatrik.

Edhe sot i akuzuari Bajram Velija ka mohuar fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë, “Nuk ka qenë vrasje as me paramendim, as me dashje”.

Pikërisht edhe mungesa e provave apo dokumenteve tjera, ishin arsyeja që edhe Prokurorja e rastit Ervehe Gashi kundërshtoi propozimin e avokatit mbrojtës që i akuzuari të dërgohet në ekzaminim psikiatrik.

“Sipas mbrojtjes i akuzuari në momentin kritik paska vepruar në ankth dhe depresion mirëpo nga provat që i kemi bashkangjitur aktakuzës në bazë të deklaratës së të akuzuarit rezulton se ai ka pasur kohë të mjaftueshme për të qetësuar veten, pasi që ka ecur gati 1 kilometër derisa e ka takuar viktimën”, ka thënë prokurorja Gashi.

Gjyqtarja Raima Elezi ka refuzuar këtë kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit, mirëpo mbrojtja e ka kërkuar që për refuzimin e Gjykatës të ketë vendim të shkruar në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e ankesës edhe në Gjykatën e Apelit, e cila do të vendos përfundimisht për kërkesën e mbrojtjes.

Ngjarjen e ndodhur me datë 6 gusht të vitit 2019, sipas dyshimeve të Prokurorisë del se deri te ngjarja kishte ardhur pasi që bashkëshortja e të dyshuarit kishte kërkuar ndarjen nga i akuzuari Bajram Velija.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë “Në momentin kur viktima largohet nga shtëpia e pandehuri pajiset me pistoletë të tipit “Pieto Berreta Gardone” dhe del nga shtëpia i afrohet tashmë të ndjerës A. V., e drejton pistoletën në drejtim të saj, duke shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit”.

Nga goditja e predhave viktima ishte rrëzuar për tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend.

Prokuroria thotë se i pandehuri Bajram Velija, viktimën e kishte mbuluar me një fustan të saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë, dhe e ngarkon atë me dy vepra penale, vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi kontroll, posedim të paautorizuar të armëve.