Gjykimi për vrasjen e Ferdinand Gjinit

Vrasja e Ferdinand Gjinit, i akuzuari tregon për rrahjen me viktimën

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Pejës për vrasjen e Ferdinand Gjinit, po i afrohet fundit.

Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar së bashku, në qershor të vitit 2014, e kanë kryer vrasjen e tani të ndjerit, Ferdinand Gjini.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me Prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa ditë radhazi, ka përfunduar mbrojtja e të akuzuarve, për të vazhduar me fjalën përfundimtare me 18 dhjetor.

Dje para trupit gjykues mbrojtjen e dha edhe Bekim Raja, i cili akuzohet për porositjen me pagesë të vrasjes së Ferdinand Gjinit.

I akuzuari Raja, mohoi pretendimet që e ngarkojnë atë në aktakuzë.

Ai rrëfeu para trupit gjykues se si kishin rrjedhur gjërat sipas tij. Raja në përfundim të gjykimit u ballafaqua me pyetjet e prokurores së rastit Valbona Disha- Haxhosaj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, i akuzuari tha se Gjon Pnishin nuk e njeh prej së afërmi, madje sipas tij nuk ka pasur kurrë personalisht kontakt me të.

“Unë Gjon Pnishin afër nuk e njoh, as që kom pasur kontakt me Gjonin në jetën time, as telefonatë, as që kom ndejt me të. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjoni në procesverbalin  gjyqësor, as unë as askush prej familjes time nuk ka ndejt më të. Unë gjonin e kam par në vitin 2002 kur ka qenë në burg për drogë në Zvicër”, tha ai.

Gjithnjë sipas të akuzuarit Raja, Gjon Pnishi nuk është duke e thënë të vërtetën me rastin e implikimit të tij në këtë rast, me arsyetimin se qëllimi i Pnishit është të shpëtoj nga dënimi dhe të e hedh akuzën te ai, apo dikush tjetër.

I akuzuari tha se nuk i njeh as të akuzuarit Avni dhe Murat Sinanaj.

“Jo nuk i njoh, unë i kam takuar në Gjykatë, pasi që jam arrestuar përmes avokatëve të mi, Tomë Gashi dhe Besnik Berisha më ka treguar për ta, barëm Besniku me ka tregu që i ka pak më të afërt, familjar”, tha Raja.

Bekim Raja rrëfeu para trupit gjykues, për rrahjen që kishte pasur me tani të ndjerin Ferdinand Gjini dhe me katër persona të tjerë sipas tij.

Këtu nga i akuzuari u përmend edhe Mark Kqiraj, dhe arsyeja sipas tij pse kishte ndodhur rrahja qëndronte në atë se Mark Kqiraj ia kishte kërkuar atij 10 mijë euro për një shtëpi që i ishte ofruar për blerje.

“Unë me Ferdinandin nuk kam pas asgjë dhe Mark Kqiraj mi ka lypë 10 mijë euro për një shpi. Për një shpi që se kom blerë, kanë dashtë me ma shitë një shtëpi, dhe rrahja filloi për këtë, sepse shtëpia s`ka qenë me dokumente në rregull”, tha i akuzuari Raja.

Në pyetjet e prokurores Disha- Haxhosaj, se sa qëndron fakti se ai akuzuari Bekim Raja në bashkëpunim e ka larguar, mbrojtësin e të akuzuarit Gjon Pnishi dhe atë avokatin Ndrec Dodaj, duke caktuar pastaj avokatin Haxhi Qekaj, i akuzuari Raja u përgjigj se “Jo nuk është e vërtetë”.

“A je takuar ndonjë herë me avokatin Haxhi Qekaj, për kohën sa ka qenë gjykimi i Gjon Pnishit”,  ishte pyetja e radhës e prokurores drejtuar të akuzuarit Raja.

“Unë nuk e di as kur është mbajtur Gjykimi i Gjon Pnishit, por jam konsultuar më të për rastin e vrasjes se Mark Kqiraj, ku kam qenë i dyshuar”,  u përgjigj ai.

Duke vazhduar me ballafaqim të transkripteve u përmend edhe emri i deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa.

Prokurorja e rastit Valbona Disha Haxhosaj e pyeti të akuzuarin Bekim Raja se pse kishte kërkuar ndihmë nga deputeti Hajdar Beqa pasi që nuk e ndjen veten fajtor për këtë vepër penale.

“Pse atëherë keni kërkuar ndihmë prej Hajdar Beqës në këtë proces?”, pyeti prokurorja.

Pas vërejtjes së mbrojtësit të të akuzuarit Bekim Raja, avokatit Arianit Koci, se kjo pyetje është e ndaluar sipas tij, prokurorja e riformuloi pyetjen: “A ke kërkuar ndihmë prej Hajdar Beqës?”, tha ajo.

“Jo”, u përgjigj Raja.

Prokurorja iu referua transkripteve të përgjimit të Bekim Rajës me personin e quajtur Kristë në qendrën e paraburgimit.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë gjatë ditës së djeshme.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Pyetje për të akuzuarin, pati edhe vëllai i tani të ndjerit Ferdinand Gjini, Pashk Gjini.

“Hajdar Beqën a e njeh vetëm si deputet apo më shumë?”, pyeti Pashk Gjini.

“E njoh si deputet, si krejt njerëzit. Kam pi kafe me të, ka qenë edhe në Zvicër”, u përgjigj i akuzuari.

“Po Nasim Haradinajn a e njeh?”, pyeti sërish Pashk Gjini të akuzuarin Raja.

“Kush nuk e njeh, unë e njoh”, u përgjigj Bekim Raja.

Pashk Gjini prezantoi para trupit gjykues një fotografi të Bekim Rajës, Hajdar Beqës dhe Nasim Haradinajt.

KALLXO.com poashtu ka raportuar për këtë.

Vrasja me pagesë, i dyshuari pi shampanjë me Nasim Haradinajn e Hajdar Beqën (FOTO)

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë franga.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni.

Me këtë rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

.