Vrasja e Ferdinand Gjinit, i akuzuari ballafaqohet me përgjimet

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e Ferdinand Gjinit, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, i cili u ballafaqua me përgjimet.

Në këtë rast, Bekim Raja, Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014, e kanë kryer vrasjen e tani të ndjerit, Ferdinand Gjini.

I akuzuari Murat Sinanaj tha para trupi gjykues se Bekim Rajën nuk e ka njohur deri në momentin kur është paraburgosur.

“Të akuzuarin Bekim Raja unë kurrë nuk e kam njohur deri në momentin kur jam paraburgosur, vetëm kur jam ardhur në burg kam dëgjuar për emrin e tij”, tha Sinanaj.

I akuzuari mohoi akuzat se ai kishte pranuar porosinë nga Bekim Raja përmes Gjon Pnishit për vrasjen e Ferdinand Gjinit.

“Unë kurrë nuk kam pranuar porosi nga Bekimi përmes Gjonit. Për vrasjen e Ferdinandit kam dëgjuar atë ditë që është vrarë prej vëllait tim Avnisë, sepse vëllai i Gjonit ka thirr të Avnia dhe ka pyetur a është Gjoni aty”, tha ai.

Prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj,  ia lexoi të akuzuarit  mesazhin që Gjoni ia ka dërguar Muratit dhe se Murati e ka deklaruar në polici ku ka thënë “Bimni mas se e kam qikën s`mut se unë kom me kallxu se ti je vrasësi i Ferdinandit”.

I pyetur nga trupi gjykues se “Kur e more mesazhin që po akuzohesh për vrasje a e ke njoftuar dikë, policinë?”.

“Jo valla se nuk e kam ditë si shkon puna” u përgjigj ai.

Sipas të akuzuarit ai një natë para vrasjes kishte qenë së bashku me të akuzuarin Avni Sinanaj në bjeshkë, të ‘Zalli i Rupës’.

“A është e vërtetë që në ‘Zallin e Rupës’ nuk ka valë dhe nuk mundësh me bisedu në telefon?”, u pyet nga prokuroja Disha- Haxhosaj.

“Po”, tha i akuzuari Sinanaj.

Prokurorja vazhdoi ta ballafaqoj të akuzuarin me transkriptet e përgjimeve.

“A është e vërtetë se natën që keni qenë në bjeshkë keni folur me të pandehurin Gjon Pnishi në telefon” pyeti paraprakisht prokurorja.

“Jo nuk është vërtetë”, u përgjigj ai.

Prokuroja e ballafaqoi të akuzuarin me listën e thirrjeve hyrëse-dalëse.

“Me datën 22.06.2014, ora  18:14 Avnia ka kontakte me numrin e telefonit të Gjonit, dhe call 1 del Dobroshi 2. Me 22.06.2014 ne ora 19:52 ekziston biseda mes Gjon Pnishi dhe Murat Sinanaj call 1 Shishman. Me 22.06.2014 ekziston Biseda mes Gjon Pnishi dhe Murat Sinanaj, call 1 Qabrati, në po të njëjtën ditë e kemi bisedën mes Gjonit dhe Murat Sinanajt, pa call name”, lexoi prokuroja Disha-Haxhosaj.

“A është e vërtetë?” , pyeti prokurorja duke ju referuar pasuesit të sipërshënuar.

“Jo nuk është e vërtetë dhe nuk më kujtohet”, u përgjigj Murat Sinanaj.

Në pyetjen e prokurores se a kishte qenë i akuzuari një natë para vrasjes në bjeshkë në ‘Zallin e Rupit’, apo në Gjakovë, i akuzuari tha se e ka dhënë njëherë atë shpjegim.

Mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku tha se i mbrojturi i tij  nuk ka qëndruar tërë natën në Bjeshkë dhe kur ka ardhur te kilometri i gjashtë i kanë ardhur valët prandaj sipas tij tha se e ka dhënë atë shpjegim.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg.

Pas këtij dënimi, Pnishi ka bashkëpunuar me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, duke dhënë emrat e të akuzuarve të tjerë, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017.

Për disa dite radhazi, ka përfunduar mbrojtja e të akuzuarve, për të vazhduar me fjalën përfundimtare me 18 dhjetor.

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt dhe Avni Sinanajt nën dyshimet se në maj të vitit 2012, në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj të kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini, duke premtuar dhe dhënë shpërblimin prej 100 mijë franga.

Sipas aktakuzës, më 23.06.2014, në Prapaqan të Deçanit, të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, në mënyrë dinake dhe e kanë shfrytëzuar krizën financiare të viktimës dhe e kanë mashtruar të njëjtin me substance narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturë nga Gjakova për në Deçan, e i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni.

Me këtë rast i pandehuri Gjon, duke vepruar sipas sugjerimeve të të pandehurit Avni Sinanaj, i zë pritën dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Sinanaj gjuan me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për vrasjen e Ferdinand Gjinit ishte gjykuar më parë nga Gjykata në Pejë i akuzuari Gjon Pnishi, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burg, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Për të njëjtin rast u arrestuan edhe Bekim Raja, Avni Sinani dhe Murat Sinani.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

 

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

Prokurorja në rastin e vrasjes me pagesë kërcënohet me djegie të fëmijëve

 

Pejë, i akuzuari që bashkëpunoi me prokurorinë lëviz me antiplumb në gjykatë

 

Vrasja me pagesë, zbardhen përgjimet: Të dyshuarit planifikuan t’i kërkojnë ndihmë Hajdar Beqës

 

 

 

 

 

.