Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt FOTO-KALLXO.com

Vrasja e Agonis Tetajt, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj

Shaban Gogaj pritet të dalë sot para gjykatës për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë për vrasjen e Agonis Tetaj.

Kjo është seanca e parë që do të mbahet pasi gjykata e ka rihapur shqyrtimin në këtë rast.

Vrasja e Agonis Tetajt në vendin e tij të punës në Deçan bëri bujë të madhe në të gjithë vendin në momentin kur u publikuan pamjet e vrasjes së tij.

Prokuroria e Pejës kishte ngritur aktakuzë që e ngarkonte Shaban Gogajn për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Pas një kërkese të avokatit Besnik Berisha, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, kishte përjashtuar në tërësi Prokurorinë e Pejës për trajtimin e rastit, duke dërguar lëndën në Prokurorinë e Gjilanit.

Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit ka përfaqësuar këtë lëndë në gjykatë ku në fjalën përfundimtare kishte rikualifikuar vrasjen e Agonis Tetajt si vrasje nga pakujdesia.

Babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com publikoi një foto ku shihen avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Të nesërmen Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, njoftoi se pas videos dhe  dyshimeve për mostrajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetajt nga ana e prokurorit Agron Uka, u vendos që prokurori Uka të përjashtohej nga ndjekja penale e kësaj çështjeje dhe të njëjtën çështje t’ia kalojë një prokurori tjetër.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që kishte kërkuar që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

Gjykata e Pejës kishte marrë vendim për rihapje të shqyrtimit gjyqësor duke bërë që gjykimi të nisë sërish.

Arsyet e gjykatës për rihapjen e gjykimit të vrasjes së Agonis Tetajt