Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Vrasja e Agonis Tetajt - Gjykata e Pejës sërish e dënon avokatin e Shaban Gogajt, Besnik Berishën

Pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në rivendosje vendimin për gjobën e shqiptuar ndaj avokatit Besnik Berisha, Gjykata e Pejës ka marrë vendim duke i shqiptuar Berishës gjobë prej 500 euro lidhur me procesin gjyqësor të Shaban Gogajt.

Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur Shaban Gogajn.

Ky vendim i gjykatës kishte ardhur pasi atij i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës gjoba prej 500 eurove.

Ndaj vendimit për gjobë të gjykatës në Pejë ankesë kishte parashtruar avokati Berisha.

Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës kishte kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt.

Ndërsa Gjykata në Pejë përsëri ka marrë vendim për shqiptimin e gjobës ndaj avokatit Berisha.

“Gjerë të vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancë e datës.28.06.2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur duke u bazuar në dispozitën e nenit 302 par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë  në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe serish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetim të vendimit të gjykatës në Pejë.

Sipas gjykatës së Pejë, prishja e rendit në gjykatë nga avokati Berisha vërtetohet nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor të seancës kur është marrë vendimi për përjashtim, aga video-inçizimi i të njëjtës seancë dhe nga procesverbalet e tjera të shqyrtimit gjyqësor.

“Pra siç rrjedhe nga të lartcekurat mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares se trupit gjykues: “e pa denjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor”, “paragjykues të çështjes”, pastaj kur bënë komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dal atje si kozmetik” dhe për secilin rast kryetarja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu është njoftuar për pasojat…. i njëjti sërish komenton dhe ndaj trupit gjykues i drejtohet me fjalët se “e keni paragjykuar çështjen”, thuhet në vendimin e gjykatës.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Husaj- Rugova.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Gjoba ndaj avokatit Besnik Berisha në çështjen e Shaban Gogajt, Apeli merr vendim