(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Vrasja e Agonis Tetajt, Gjykata cakton seancën

Gjykata e Pejës e ka caktuar datën e seancës gjyqësore ndaj Shaban Gogajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.

Seanca është caktuar të mbahet më 25 nëntor.

Ky proces gjyqësor ka disa muaj që është bllokuar pasi gjykata kishte përjashtuar dhe shqiptuar dënim me gjobë ndaj mbrojtësit të Shaban Gogajt, avokatit Besnik Berisha.

Vendimi për dënimin me gjobë prej 500 eurove ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit.

Fillimisht Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës ka kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij.

Pas kësaj, Gjykata e Pejës sërish ka dënuar avokatin me 500 euro gjobë.

Ky vendim i fundit i Gjykatës u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Oda e Avokatëve të Kosovës ditëve të fundit ka lëshuar një reagim duke e cilësuar si tendencioz urdhrin e Gjykatës së Pejës për t’i caktuar Shaban Gogajt një avokat sipas detyrës zyrtare.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, nuk do të përgjigjet dhe nuk do të zbatoj asnjë vendim, urdhër apo forma të tjera, që bien ndesh me vendimet e Këshillit Drejtues, që cenojnë integritetin dhe pavarësinë e Odës së Avokatëve të Kosovës” thuhet në këtë reagim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje.

Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Në mars të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që ta ndërrojë prokurorin e rastit, Agron Uka.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.