Vrasja e 11 vjeçarit: Prokurori e liroi të dyshuarin për dhunim
I dyshuari për dhunim të një 11 vjeçari nga Fushë Kosova i cili tani po dyshohet edhe për vrasjen e këtij të mituri kishte qëndruar i lirë për disa muaj sa fëmija ishte gjallë.
Vrasja e të miturit 11 vjeçar dhe informacioni që i njëjti kishte qenë i dhunuar seksualisht, ka tronditur opinionin me reagime dhe protesta nga organizatat jo qeveritare dhe aktivistët.
KALLXO.com ka parë dosjen e kallëzimit penal të dërguar nga policia në prokurori.
Ky dokument tregon kronologjikisht hapat që u ndërmorën dhe ato që nuk u ndërmorën lidhur me rastin.
Nga ky dokument mësohet se i dyshuari S.O për dhunim të një të mituri nuk ishte dërguar në paraburgim për shkak se këtë nuk e kishte kërkuar prokurori. Për më tepër një ekzaminim mjeko-ligjor i fëmijës që dyshohej se ishte dhunuar, nuk ishte lejuar nga prokurori i rastit.
Si ndodhi rasti?
Më 29 janar babai i të dyshuarit S.O ka raportuar në polici se djali i tij ka abuzuar seksualisht në nëntor djalin 11 vjeç.
Me të marrë informacionin policia kishte filluar menjëherë procedurat e intervistimit të personave të përfshirë në këtë rast.
Pas këtij raportimi policia kishte intervistuar edhe nënën e viktimës.
Sipas kallëzimit penal, nëna e 11 vjeçarit nuk kishte dëshiruar që lajmi të raportohej në polici paraprakisht por kishte kërkuar nga babai i të dyshuarit që ky i fundit të qëndronte larg fëmijëve të saj.
I dyshuari për policinë kishte qenë i njohur edhe për shumë vepra të tjera penale.
Pas kërkimit të të dyshuarit në shumë lokacione më 4 prill, policia kishte arritur ta arrestonte atë.
Me deklaratat e dëshmitarëve policia kishte kërkuar nga prokuroria që të dinte për masën që do t’i vendoste prokurori kujdestar.
Ky i fundit edhe përkundër dëshmive kishte vendosur që i dyshuari S.O të lirohej në procedurë të rregullt si dhe nuk kishte lejuar ekzaminimin mjeko- ligjor të fëmijës i cili dyshohej se ishte dhunuar seksualisht.
Policia, të njëjtit më 12 prill në një dosje disa faqesh i kishin përshkruar të gjitha dëshmitë relevante të rastit e më pas në formë të kallëzimit penal të njëjtin e kishin dërguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku këta te fundit dosjen e kishin pranuar tri ditë më pas, më 15 prill.
Policia që nga ajo kohë nuk kishte pranuar asnjë informacion apo veprim për rastin i cili tashmë kishte kaluar në prokurori.
Disa muaj më vonë, më saktësisht më 11 korrik, 11 vjeçari ishte gjetur i vdekur pranë disa shkallëve të një ndërtese në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë.
Nëna e viktimës kishte deklaruar në polici se djali i fqinjëve i kishte dhunuar djalin e saj 11 vjeçar tashmë i vdekur.
I dyshuari ishte ende i lirë
Më 11 korrik, KALLXO.com ka raportuar se një i mitur ishte gjetur i shtrirë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë Kosovë.
Vdekjen e 11 vjeçarit e kishte konfirmuar në vendin e ngjarjes edhe ekipi mjekësor.
Vdekja sipas policisë në fillim u cilësua si vdekje e dyshimtë.
Vetëm pak ditë më pas Policia njoftoi se kishte arrestuar një të dyshuar në lidhje me këtë rast.
S.O ishte i cili dyshohej se kishte dhunuar seksualisht të miturin po dyshohej edhe për vrasje të rëndë të po të njëjtit.
Sot, Gjykata Themelore e Prishtinës i caktoi masën e paraburgimit të dyshuarit S.O.
https://kallxo.com/gjykata-vendose-per-te-dyshuarin-per-vrasjen-dhe-dhunimin-e-11-vjecarit/