Foto: Kallxo.com

Vonohet ekspertiza financiare, shtyhet gjykimi për mashtrim me viza

Për sot ishte paraparë që të vazhdonte procesi gjyqësor ndaj Flamur Hoxhës, Besim Rexhajt e Veprim Rexhepit, të cilët po gjykohen për mashtrimin me rregullim të vizave të punës të qindra qytetarëve nga rajoni i Prizrenit por edhe më gjerë.

Ky proces gjyqësor është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Në seancën e datës 31 maj 2019 mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Durim Nevzati kishte propozuar që të caktohej një ekspert financiar, i cili do të konstatonte shumën e shmangies së tatimit nga klienti i tij.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani njoftoi se eksperti financiar i caktuar nga trupi gjykues ka njoftuar se ekspertiza e kërkuar nga Gjykata do të jetë gati pas datës 22 korrik 2019.

Trupi gjykues me kohë kishte njoftuar prokurorin special, Afrim Shefkiu, për shtyrjen e seancës, ashtu që i njëjti nuk ishte prezent në sallë të Gjykatës.

Seancat e radhës u caktuan për datat 5 dhe 7 gusht 2019, kur do të ftohet për të dëshmuar eksperti financiar, Vehbi Ymeri, për t’iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe avokatëve lidhur me ekspertizën e tij për shmangien nga tatimi nga i akuzuari Flamur Hoxha.

I akuzuari Flamur Hoxha akuzohet edhe për veprën penale të shmangies nga tatimi.

Në më shumë se 100 faqe aktakuzë, Prokuroria i ngarkon Flamur Hoxhën e Besim Rexhajn se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, atë të mashtrimit, si dhe në bashkëkryerje të kenë kryer veprën penale rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175.00 euro dhe nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775.00 euro, ndërsa numri i të dëmtuarve sipas aktakuzës shkon në afër 500 qytetarë.

Ndërsa i akuzuari tjetër Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, ngarkohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në këtë rast aktakuzën e përfaqëson Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe lënda është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren me qëllim të përfitimit për vete dhe persona tjerë, pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anën të veprës penale të mashtrimit dhe falsifikimit  të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489, të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fonde në fjalë, transferuar ato te personat tjerë pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme – vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme – shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.