Vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari, dëshmitarja tregon në gjykatë për veprimet e të akuzuarit Labinot Gruda

Kadri Shala dhe Labinot Gruda, të akuzuar për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit janë ballafaquar në gjykatë me deklaratat e dëshmitarëve.

Seanca e sotme vazhdoi me dëgjimin e tre dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria Speciale.

Dëshmitarja Mejdije Musliu, zëvendësdrejtore për Operime në Thesarin e Shtetit, konstatoi se kërkesa për regjistrim të furnitorëve në Thesarin e Republikës së Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejtë nga furnitorët, por me kërkesë nga organizata buxhetore.

Musliu, tregoi se kërkesa me dokumentet e nevojshme të bashkëngjitura dorëzohet në Thesar, e cila përcjellët nga arkiva e thesarit tek zyrtarët përgjegjës të thesarit për regjistrimin e furnitorëve në sistem.

“Nga raporti që kam pranuar nga Sistemi Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) më 20 tetor 2020 jam informuar se operatori ekonomik ‘LDA GROUP SHPK’ është regjistruar nga përdoruesi i zyrtarit të thesarit Labinot Gruda, i cili këtë qasje nuk e ka pasur me përshkrim të punës apo me ndonjë aprovim tjetër. Ndërsa më 9 tetor 2020 Labinot Gruda ka ndërhy në klasën funksionale të përdoruesit të tij me këtë rast i ka dhënë të drejtën që me atë përdorues të ketë qasje në regjistrimin e furnitorëve në SIMFK”, tha Musliu.

Dëshmitarja e radhës Rehana Shahini, analiste funksionale në kompaninë “Free Balance” e cila funksionin në kuadër të Thesarit të Shtetit.

Dëshmitarja Shahini deklaroi se operatori ekonomik ‘LDA GROUP SHPK’ nuk ka qenë i regjistruar në sistemin e SIMFK deri më datën 8 tetor 2020.

Gjithashtu, Shahini deklaroi se nuk ka pasur kërkesë nga ndonjë organizatë buxhetore për regjistrimin e këtij operatori ekonomik.

Trupi gjykues  i kryesuar nga gjyqtari Arben Hoti, Shadije Gërguri, Mentor Bajraktari, vendosi që seanca e radhës pritet të mbahet më 5 prill, e cila do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë. Aktakuzën në gjykatë është duke e mbrojtur prokurori special Valdet Gashi.

I akuzuari Kadri Shala në seancën e mbajtur me 28 Shkurt ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat akuzohet nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa, Labinot Gruda në seancën e mbajtur më 11 Shkurt ishte deklaruar i fajshëm, mirëpo ishte refuzuar pranimi i fajësisë nga gjykata lidhur me veprën penale “shpëlarje parash” në bashkëkryerje me të akuzuarin Kadri Shala.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka përshkruar se më 9 tetor të vitit të kaluar, Kadri Shala, si person përgjegjës i kompanisë “LDA GROUP SHPK” i ka mundësuar Labinot Grudës, zyrtar në Ministrinë e Financave, që paratë nga Thesari i Shtetit në vlerë të 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove e 90 centë të transferohen në të njëjtën kompani në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë Speciale, Kadri Shala ka kryer veprën penale të ndihmës e cila është ndërlidhur me veprën tjetër penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dy të pandehurit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, sipas aktakuzës nga data 9 tetor deri më 15 tetor të vitit 2020 në Prishtinë, pas marrëveshjes dhe planifikimit paraprak në bashkëkryerje kanë bërë transferimin e parave nga Thesari i Shtetit në kompaninë e personit të autorizuar Kadri Shala “LDA GROUP SHPK”  ndërsa me qëllim të fshehjes së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, i ka ndarë rreth 2.1 milionë eurot në llogari të ndryshme bankare të personave fizikë nën arsyetimin për blerje, huazim, avans, donacione e kryerje të borxheve.

1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë Shala dyshohet se i ka transferuar në 26 kompani të ndryshme në Kosovë ndërsa 440 mijë euro i njëjti person dyshohet se i ka transferuar në llogari bankare në Turqi nën arsyetimin për pagesë të blerjes së makinerisë së betonierës dhe pompës së betonit.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor und t`i lexoni duke klikuar në LINK