Vjedhja e 3 mijë frangave në Kamenicë, të akuzuarit mungojnë në seancë

Jeton Krasniqi dhe Fikret Rama po akuzohen se kanë vjedhur tabela të veturës dhe një çantë me tre mijë franga në një fshat të Kamenicës.

Këta të akuzuar munguan në gjykatë sot që shkaktoi dështimin e seancës gjyqësore.

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj Fatos Hoxhës, Jeton Krasniqit dhe Fikret Ramës për vjedhje të rëndë.

Për këtë çështje penale për të akuzuarin Fatos Hoxha është veçuar procedura meqë ndodhet në arrati.

Sipas aktakuzës, më datën 9 maj 2016 fillimisht në fshatin Berivojcë të Kamenicës, me qëllim të përvetësimit, i kanë vjedhur të dëmtuarit Besnik Demiri tabelat e veturës.

Të akuzuarit tabelat i kanë vendosur në veturën e tyre të cilën e kishin marrë për shërbim nga një kompani nga Drenasi.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, të akuzuarit të njëjtën datë në parkingun e një qendre tregtare në Gjilan, me qëllim të përvetësimit e kanë hapur me forcë veturën e të dëmtuarit Miftar Kastrati, dhe nga vetura kanë vjedhur një çantë të të dëmtuares Mirfane Kastrati, që kishte pasur 3 mijë franga zvicerane dhe 150 euro në të.

I akuzuari Jeton Krasniqi, akuzohet edhe se kishte kryer veprën penale të vrasjes në tentativë ndaj 3 policëve të cilët ishin në patrullim të komunikacionit.

Sipas Prokurorisë policët e hetuan se i akuzuari ishte duke bërë vozitje të rrezikshme dhe i dolën përpara në rrugë në tentim për ta ndalur. I akuzuari nuk e zbatoi shenjën e policisë dhe përkundrazi e rriti shpejtësinë e veturës.

Policët kishin arritur të i shmangen veturës, kështu duke mbetur vepra penale në tentativë.

Në seancën e sotme ishin prezent prokurori Shaban Spahiu dhe avokati Gani Hoxha që e zëvendësonte për këtë seancë avokatin Asdren Hoxha.

Ndërsa në seancë munguan të akuzuarit, avokati Rrustem Latifi dhe të dëmtuarit që ishin ftuar në cilësi të dëshmitarëve.

Për këtë arsye Gjykata e Gjilanit vendosi ta shtyjë seancën e sotme.