Foto: KALLXO.com

VIDEO: Tensione në përfundim të gjykimit për vrasjen e Naim Hajrizit

Me seancën e sotme ka përfunduar procesi gjyqësor maratonik lidhur me vrasjen e Naim Hajrizit.

Për vrasjen që ka ndodhur më 29 prill 2009 po gjykohen Gëzim Retkoceri, i akuzuar për vrasje, dhe Osman Spahiu, i akuzuar për dhënie të ndihmës të akuzuarit të parë pas kryerjes së veprës penale.

I tërë gjykimi është përshkuar me tensione mes palëve.

Fjalosje në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit

As seanca e sotme nuk përfundoi pa tensione.

Tensionet sot kishte mes avokatit Ramë Dreshaj, mbrojtës i të akuzuarit Osman Spahiu, dhe të akuzuarit Gëzim Retkoceri.

Për shkak të tensioneve, trupi gjykues e nxori nga salla e gjykimit të akuzuarin Gëzim Retkocerin.

Kjo ndodhi pasi që gjatë kohës sa avokati Ramë Dreshaj po jepte fjalën përfundimtare për të mbrojturin e tij, i akuzuari Gëzim Retkoceri i tha: “Po rren”.

Avokati Ramë Dreshaj në fjalën përfundimtare tregoi se si familja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri ishin munduar të ndikonin në deklaratën e tani të akuzuarit Osman Spahiu lidhur me vrasjen e Naim Hajrizit.

Avokati foli për batanijen e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes. Kjo batanije kishte shërbyer për mbështjelljen e kufomës së Naim Hajrizit, e për të i akuzuari Osman Spahiu u kishte thënë policëve se ishte e auto-servisit.

“Pasi është kthyer nga policia Osman Spahiu kanë shkuar familjarët e të akuzuarit Gëzim Retkocerit dhe e kanë pyetur se çfarë të kanë pyetur policia dhe çfarë u the atyre. Ky i ka treguar se u ka treguar edhe që batanija është e auto-servisit e ata i kanë thënë se s’ke ba mirë që u ke thanë që është e auto-servisit”, tha avokati Ramë Dreshaj.

Tutje avokati përmendi situatën e dytë kur vëllai i Gëzim Retkocerit, Bashkim Retkoceri, e kishte thirrur nga Gjermania tani të akuzuarin Osman Spahiu e i kishte thënë të mos shkonte në Polici “pa u taku me Agën”.

“Po ashtu, prej Gjermanisë e ka thirrë vëllai i të akuzuarit Gëzim Retkoceri e i ka thënë: Të lutem mos shko në Polici pa u takuar me agën (babanë e të akuzuarit Gëzim Retkoceri), se vijnë Policia me të marrë”, po thoshte avokati, kur ndërhyri i akuzuari Gëzim Retkoceri, duke i thënë avokatit Ramë Dreshaj: “Po rren”.

Në këtë moment u rritën tensionet dhe avokati kërkoi të ndërpritej gjykimi.

Pastaj i akuzuari Gëzim Retkoceri u përcoll me forcë nga gardianët jashtë sallës së gjykimit dhe seanca u ndërpre për pak pauzë  deri sa u qetësua situata.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin se më 29 prill 2009 ka rrëmbyer Naim Hajrizin dhe e ka mbytur duke e goditur me mjete të forta.

Në korrik të vitit 2015, Gjykata i kishte shpallur fajtor Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun për vrasjen e Naim Hajrizit duke i shqiptuar dënim me burgim nga 30 vjet secilit.

Por, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim për shkak se Gjykata e shkallës së parë kishte shkelur dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe dispozitivi i aktgjykimit ishte kundërthënës.

Pasi përfundoi rigjykimi në fjalën përfundimtare prokuroja e rastit Fikrije Zejnullahu e rikualifikoi për të akuzuarin Osman Spahiu veprën penale nga vrasja e rëndë në dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe atë si në vijim:

“Osman Spahiu me qëllim që Gëzim Ratkoceri dhe personi NN t’i shmangen zbulimit dhe arrestimit në atë mënyre që  me datën 29 dhe 30 prill 2009 deri sa ishte në servisin “Cali”, pronë e të akuzuarit Gëzim, dhe sipas kërkesës së të akuzuarit  u ka kryer shërbime duke ua blerë një shishe me benzinë, duke bartur vetura brenda dhe jashtë servisit, duke mbuluar shenjat e vajit me byk, ndërkaq me datën 30 prill 2009 me kërkesën e Gëzim Ratkocerit e kishte thirrur ne telefon vëllanë e tani të ndjerit Naim duke i thënë se “vëllanë e ke në Shkup, mos e lyp në Polici” edhe pse kishte njohuri se tani i akuzuari Gëzim e kishte privuar nga jeta Naim Hajrizin”.

Pas 9 vitesh prokurorja riakualifikoi veprën për njërin të akuzuar në rastin e vrasjes së Naim Hajrizit

Ndërsa për të akuzuarin Gëzim Retkocerin mbeti pranë akuzës për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit.

Shpallja e vendimit për këtë rast penal do të bëhet më 21 janar, për shkak se lënda është voluminoze, tha gjykatësi i çështjes, Vesel Ismaili.