VIDEO: Seanca ndaj të dyshuarve të rastit “Brezovica”, flasin avokatët

Avokatët e dy prej të arrestuarve në rastin tashmë të njohur si “Brezovica” kanë folur për KALLXO.com në lidhje me rrjedhën e seancës gjyqësore.

Mbrojtësi i të pandehurit Dimitrije Raçiqeviq, avokati Nebih Troshupa tha për KALLXO.com se e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“Seanca ka filluar me vonesë për shkak të disa problemeve teknike. Ka pasur disa probleme edhe sa i përket kërkesës së prokurorit. Kërkesa e prokurorit nuk është e mbështetur në fakte, ndaj klientit tim është duke u zhvilluar edhe një procedurë tjetër pasi disa nga pikat për të cilat po dyshohet ai është hetuar edhe më herët dhe së bashku me avokatin tjetër e kundërshtuam kërkesën pasi është e pabazuar“, tha Troshupa.

Të pabazuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt e konsideroi edhe mbrojtësi i të pandehurit Sasha Spasiq, avokati Predrag Milkoviq.

“Sot e kemi pranuar kërkesën për caktimin e paraburgimit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt. Konsideroj se kërkesa është e pabazuar dhe ende nuk e kemi kundërshtuar sepse jemi në pauzë dhe do ta shfrytëzojmë rastin t’i tregojmë të gjitha rrethanat se si ka qenë rasti, kërkesën do ta kundërshtojmë për shkak se është e pabazuar.

KALLXO ka siguruar dosjen e hetimit lidhur me rastin e njohur si “Brezovica” ndaj 10 të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Prokurorisë së Ferizajt, ndër ta edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Prokuroria po pretendon se ish-kryeari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore për vikend-shtëpiza për investitorin “Stella Consulting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consulting”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale – marrja e ryshfetit, dhe keqpërdorimi i detyrës.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

KALLXO.com nga mëngjesi i ditës se djeshme ka përcjellë dhe raportuar rreth ecurisë së këtij aksioni që është zhvilluar nga Prokuroria e Ferizajt në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Ferizajt dje pas zhvillimit të aksionit mbajti një konferencë për media ku u shpalosën rezultatet e këtij aksioni.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiqeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan dje edhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa seanca u mbajt sot në Gjykatën e Ferizajt.

https://kallxo.com/lajm/dosja-e-prokurorise-per-rastin-brezovica-ish-kryetari-i-shterpces-dyshohet-se-pranoi-para-dhe-dhurata-ne-vlere-1-milion-e-318-mije-euro/