VIDEO - Momenti kur i akuzuari për kërcënimin e ambasadorit Qëndrim Gashi, dënohet me burgim

 

Fehmi Musa, i akuzuar për kërcënim ndaj ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi,  është shpallur fajtor për veprën penale, shtytja për kryerjen e veprave terroriste.

I akuzuari Fehmi Musa u dënua me burg me 1 vit e 6 muaj, koha e kaluar në paraburgim do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

Aktakuza thotë se i akuzuari Fehmi Musa me datë 19.10.2020, rreth orës 23:00 përmes rrjetit social “Facebook”, në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë Qëndrim Gashi.

Musa kishte shkruar mesazhin kërcënues me përmbajtje “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi” për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në “Twitter” kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë.

I pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim që të shtytë kryerjen e aktit terrorist duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Me këtë sipas Prokurorisë ai ka kryer veprën penale Shtytja për kryerjen e veprave terroriste.

Fehmi Musa kishte qenë i akuzuar në rastin e njohur si “Badovci”, por i njëjti ishte liruar nga akuzat nga Gjykata Supreme.