VIDEO – Gjykata dënon burrin nga Prizreni që rrahu vajzën e tij

Halit Bojaxhiu është dënuar sot nga Gjykata e Prizrenit pasi u gjet fajtor për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Bojaxhiut iu shqiptua dënim me kusht prej 1 viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej dy viteve nuk kryen vepër të re penale.

KALLXO.com, në gusht të vitit 2022, ka publikuar pamjet, ku shihej një burrë derisa ushtronte dhunë fizike ndaj vajzës së tij.

I njëjti ishte identifikuar nga Policia dhe më pas është arrestuar.

Në shqyrtimin fillestar ai e ka pranuar fajësinë dhe ka dhënë versionin e tij rreth rastit.

Bojaxhiu ka deklaruar se e ka goditur vajzën pa ndonjë qëllim të keq pasi e njëjta ka refuzuar që të kthehej në shtëpi. Pas kësaj ai shtoi se dikush e kishte filmuar dhe video ka dalë në internet.

“Ditën kritike e kam thirr vajzën që të vjen në shtëpi, pasi që e njëjta është larguar nga shtëpia dhe është e sëmurë dhe ne nuk kemi guxim që ta lëmë vetëm asnjëherë. Pasi kam shkuar ta marr diku afër lagjes, ajo nuk donte që të vinte. Unë e kam kapur për krahu, e njëjta nuk donte të vinte dhe pa dashje e jam goditur me dy shuplaka në fytyrë por pa ndonjë qëllim të keq” – ka thënë Bojaxhiu.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga ana e Prokurorisë.

Gjykata i shqiptoi të pandehurit një vit burgim me kusht në periudhën e verifikimit prej dy viteve.

Bojaxhiu u lirua nga shpenzimet procedurale pasi ishte me asistencë sociale.

Sipas aktakuzës, Halit Bojaxhiu akuzohet se më 14 gusht 2022, në Prizren i shkakton lëndim trupor të dëmtuarës.

Sipas Prokurorisë, pasi e dëmtuara nuk e kishte dëgjuar babain e saj për t’i pastruar enët dhe kishte dalë nga shtëpia ku ka shkuar në parkun e qytetit, vjen i pandehuri dhe i kërkon që të kthehet në shtëpi.

Në momentin kur e dëmtuara i thotë se dëshiron që të rrijë edhe pak, i pandehuri e kap nga krahu e pickon dhe e godet dy herë me shuplakë  prapa kokës, e pastaj me dhunë e dërgon në shtëpi.

Me këto veprime sipas prokurorisë Halit Bojaxhiu ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.