VIDEO: Çështja “Insajderi”, fillon ballafaqimi në Gjykatë

Nga sot beteja për portalin “Insajderi.com” është bartur në Gjykatën e Prishtinës.

Në lidhje më këtë çështje sot për herë të parë në sallën e gjykimit janë paraqitur përfaqësuesit e palëve Florim dhe Ardian Alaj si dhe Vehbi Kajtazi e Parim Olluri.

Kjo seancë është mbajtur me kërkesë të propozuesve Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri, të cilët po pretendojnë se Alajt e kanë marrë nën kontroll portalin në mënyrë të paautorizuar.

Gazetarët Kajtazi dhe Olluri kanë kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të vendosë masë të përkohshme të sigurisë.

Kërkesën gazetarët e kanë parashtruar përmes avokatëve Kushtrim Palushi dhe Visar Ramaj.

Avokati Visar Ramaj në fillim të seancës tha se Alajt nga data 1 maj i këtij viti kanë marrë nën kontroll pronësinë intelektuale, duke e ndryshuar qasjen në domainin “Insajderi.com”.

“Në këtë drejtim kanë marrë qasje të njëanshme në mbi 400 mijë artikuj të publikuara nga viti 2016, kanë marrë qasje në email-at  e 60 anëtareve të stafit me adresën insajderi. com e në të cilat gjenden informacione në lidhje me burime të ndryshme të informacionit për burimin investigativ”, tha avokati Ramaj.

 

Caktimi i kësaj mase u kundërshtua nga Florim dhe Ardian Alaj përmes avokatëve Durim Osmani dhe Feim Alaj.

Avokati Osmani deklaroi para Gjykatës se Olluri dhe Kajtazi nuk kanë të drejtë të kërkojnë këtë masë pasi nuk janë pronarë të domainit dhe se pronar i tij është ‘Alb-Soft Engineering’ në pronësi të Florim Alajt.

“Dihet saktë kush e ka blerë, kush e ka shitur dhe dihet saktë kush tash në këtë moment është pronar.

“Domainat regjistrohen në regjistrin ndërkombëtar të quajtur Who Is dhe fitimi i pronësisë bëhet në momentin e regjistrimit të administratorit të domainit”.

Pasi u pranuan provat nga të dyja palët, gjyqtari Bajrami Miftari vendosi që ta mbajë edhe një seancë tjetër në lidhje më këtë çështje me arsyetimin se provat nga të dyja palët duhet të përkthehen.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 qershor.