Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vettingu nuk do t’i prek gjyqtarët e Kushtetueses

Koncept dokumenti për zhvillimin e procesit të Vettingut në Kosovë, nuk i përfshin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë koncept dokument, thuhet se “Vettingu në sistemin e drejtësisë nuk do të përfshijë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”.

Në Gjykatën Kushtetuese nuk identifikohen problemet si në gjykatat e shkallës së parë, të dytë, të tretë dhe në Prokuroritë e Kosovës, thuhet në dokument.

Si arsye për mospërfshirjen e gjyqtarëve të Kushtetueses, është kompetenca e tyre për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve të tjera më aktin më të lartë juridik në vend.

Po ashtu përmendet edhe fakti që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë mandat të përhershëm por mandat 9 vjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Sipas koncept dokumentit për Vetting, përfshirja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, do të kushtonte në ndryshimin e kushtetutës që do qonte në bllokimin e kësaj gjykate.

“Vettingu për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të nënkuptonte ndryshime të thella në Kushtetutë apo suspendim të neneve kushtetuese që flasin për përbërjen, mandatin, pavarësinë dhe organizimin e saj, rezultati i të cilave nuk do të ishte përmirësimi i Gjykatës Kushtetuese, por bllokim i saj”, nënvizohet në koncept dokumentin e përgatitur për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Në këtë dokument gjithashtu thuhet se raportet ndërkombëtare nuk kanë kritikuar punën dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese, andaj edhe nuk parashihet përfshirja e kësaj gjykate në Vetting.