Foto: Kallxo.com

Veterinari i akuzuar për pasaportat e kafshëve del para gjyqit

Mexhid Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, të akuzuar në për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të njihen të enjten me vendimin e gjykatës së Gjilanit rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

Prokuroria në Gjilan e akuzon Haxhimusën  se gjatë vitit 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke u qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Aktakuza thotë se Haxhimusa ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve për të cilat e ka ditur se janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reçica.

Që të tre këta kanë pranuar fajësinë në akuzat për të cilat ngarkoheshin ndërsa Haxhimusa dyshohet se me veprimet e tij ia ka mundësuar të parëve që të transportojnë me kamionë kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e akuzon edhe Artan Pajazitin për shkak se nga muaji korrik 2016 deri në muajin nëntor 2016, në ordinancën e veterinarisë “Indriti”, në Ferizaj, ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale Mexhid Haxhimusa, por nuk e kishte lajmëruar këtë vepër.

Prokurori i Isuf Sadiku duke dhënë fjalën e tij të fundit kërkoi nga Gjykata dënimin e të akuzuarve.

“Si Prokurori ne mbetemi pran aktakuzës së ngritur, konsiderojmë se pas administrimit të provave është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Kërkojmë nga Gjykata që të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit”, tha prokurori Isuf Sadiku.

Kur dolën sot para gjykatës në Gjilan, që të dy hodhën poshtë akuzat e prokurorisë.

“Nuk ndihem fajtor për këtë vepër penale me të cilën më ka ngarkuar Prokuroria. Qëndroj pranë fjalës përfundimtare të avokatit tim Mustaf Musa dhe kërkoj nga Gjykata që ndaj meje të sjellë aktgjykim lirues”, tha i akuzuari Mexhid Haxhimusa.

“Nuk e ndiej veten fajtor për këtë vepër penale dhe kërkoj nga Gjykata qe të më lirojë nga kjo akuzë. Qëndroj pranë fjalës përfundimtare të avokatit tim Ilmi Dalipi”, tha i akuzuari tjetër Artan Pajaziti.

Pasaportat e kafshëve e ulin në bankën e të akuzuarit veterinarin nga Ferizaj