Vetëm 18 muaj burgim për një seri dhunimesh nën kërcënimin e vrasjes së vëllezërve

Detyrimi për të kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, konsiderohet dhunim.

Si i tillë, dhunimi bën pjesë te veprat e rënda kriminale dhe dënimi për të përpos që është i lartë mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm të kryerësit në rast se rezulton me vdekjen e viktimës.

Ndonëse dënimet në letër janë të larta, sistemi gjyqësor është duke dhënë përshtypjen se krimet seksuale nuk po luftohen dhe ndëshkohen, mirëpo po stimulohen përmes vendimeve skandaloze.

I tillë është edhe dënimi me 18 muaj burgim për të akuzuarin për një seri dhunimesh ndaj një vajze nën kërcënimin e vrasjes së familjarëve.

Akti përshkruhet të ketë ndodhur në vitin 2009 përderisa vendimi është nxjerrë në prill të vitit 2021.

Sipas aktgjykimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, viktima ishte detyruar disa herë që të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, me forcë dhe nën kërcënimin se i akuzuari do t’ia vriste vëllezërit.

Ky akt, sipas aktgjykimi të shpallur nga gjyqtarët Naser Foniqi, Fatime Dërmaku dhe Kushtrim Shyti, në prill të këtij viti, është dënuar me 18 muaj burgim, ndonëse vepra për të cilën është akuzuar është paraparë që të ndëshkohet nga 3 deri në 10 vite burgim.

Pra, sikurse rasti në Pejë, edhe ky akt dhunimi është dënuar nën minimumin e paraparë ligjor dhe përpos dënimit të ulët, kur llogaritet koha të cilën e ka kaluar i akuzuari në paraburgim del se të njëjtit do t’i mbesin më pak se dy muaj burgim për t’i vajtuar.

Në këtë rast Gjykata është mjaftuar që në vetëm shtatë rreshta t’i përshkruajë rrethanat lehtësuese dhe rënduese përderisa nuk ka ofruar rrethana posaçërisht lehtësuese të cilat e arsyetojnë zbutjen e dënimit.

Gjykata për zbutjen e dënimit është bazuar në faktin se i akuzuari ka qenë i rregullt gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka pasur sjellje korrekte me palën e dëmtuar dhe se edhe me një dënim më të butë do të arrihet qëllimi i dënimit, mirëpo asnjëra nga to nuk parashihen si të tilla në udhëzuesin e Gjykatës Supreme.

Edhe më skandaloz se ky vendim është dënimi me kusht i një recidivisti të veprave të dhunimit.

Në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Prishtinës e ka dënuar të akuzuarin S.M. me kusht pasi e kishte konstatuar se i njëjti kishte tentuar të dhunonte një vajzë në makinën e tij.

Sipas aktgjykimit, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Shadije Gërguri, Shashivar Hoti dhe Lutfi Shala, kishte vërtetuar se S.M. kishte tentuar ta dhunonte një vajzë në makinën e tij.

Siç përshkruhet në aktgjykim, i akuzuari fillimisht kishte tentuar që ta puthte të dëmtuarën ndërsa ajo kishte arritur të dalë nga vetura mirëpo ishte kapur për dore nga i akuzuari i cili kishte filluar ta zhveshte. Viktima pasi ishte rrëzuar dhe kishte filluar të bërtasë kishte arritur të ikte dhe të vrapojë drejt një lokali ku edhe kishte lajmëruar Policinë.

Për gjithë këtë akt, Gjykata e Prishtinës shqiptoi dënim me kusht ndonëse në arsyetimin e dënimit përshkruhet se i njëjti edhe në të kaluarën ishte i njohur për akte të tilla.

“Gjykata e ka pasur parasysh edhe faktin se i njëjti është recidivist pasi që edhe me parë ka kryer vepra penale të ngjashme, mirëpo vlerëson se duke pasur parasysh kohen e gjatë nga koha kryerjes së veprës penale, kushtet e tij ekonomike, dhe rrethanat në të cilat e ka kryer vepër penale, mirëpo ka vlerësuar si shumë të rënd dhe që shkon përtej qëllimit të dënimit”, përshkruhet në aktgjykim.

Rasti i Pejës

Javën që lamë pas, opinioni publik u trondit nga një lajm që tregonte se si Gjykata e Pejës e kishte dënuar me 8 muaj dhe 8 ditë burgim një akt të përdhunimit të një vajze 15-vjeçare, ndonëse sipas Ligjit dënimi i paraparë në këso raste parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim.

Përpos “lartësisë”, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas Prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Lajmi kishte bërë bujë edhe për faktin se një prokurore me 20 vite përvojë në sistemin e drejtësisë nuk e kishte apeluar këtë vendim.

https://kallxo.com/gjate/domosdoshmeria-e-hetimit-penal-ne-vendimin-per-perdhunuesin-e-15-vjecares/