Foto, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Veselit, Krasniqit dhe Selimit u vazhdohet paraburgimi nga Specialja

Gjykatësi  i procedurës paraprake, Nikola Giju më 26 nëntor mori vendim që Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit t`ua vazhdojë masën e paraburgimit.

Gjykatësi Giju në vendimet për vazhdimin e paraburgimit ka renditur rrezikun e arratisjes, rrezikun e pengimit të zhvillimet të procedurës të zhvilluar për DHS, rrezikun e kryerjes së veprave penale ose nxitjen e personave të tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.

Në arsyeshmërinë  e vendimeve për vazhdimin e paraburgimit gjykatësi ka gjetur se Selimi, Krasniqi e Veseli gëzojnë rol të madh në Kosovë për shkak të pozitave të mëhershme si pjesëtarë të UÇK-së, dhe pozitave politike.

Sipas gjykatësit Gijus, Selimi, Krasniqi e Veseli për shkak të ndikimit që kanë në Kosovë munden lehtësisht t`u shmangen procedurave para  Dhomave të Specializuara.

Në vendimin mbi vazhdimin e paraburgimit, thuhet se Selimi, Krasniqi dhe Veseli, janë udhëzuar në të drejtën që deri më 17 dhjetor mund të kërkojë rishikimin e masës së paraburgimit.

Ndërsa Zyra e Prokurorit është urdhëruar që kërkesën për arsyet e vazhdimit të paraburgimit ta paraqesë jo më vonë se më 31 dhjetori 2021.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.

Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL